Japonia shkatërron Tunizinë dhe siguron një hap drejt fazës me eliminim direkt
Japonia shkroi historinë në Kupën e Botës 2026 duke shënuar për herë të parë katër gola në një ndeshje të turneut, teksa mposhti bindshëm Tunizinë me rezultat 4-0 në ndeshjen e Grupit F, të zhvilluar në Estadio Monterrey. Me këtë humbje, Tunizia u bë kombëtarja e tretë që eliminohet nga turneu.
Japonezët e nisën vrullshëm takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e katërt.
Pas një aksioni model, Keito Nakamura dërgoi një top të rrezikshëm në zonë, ndërsa mbrojtja tuniziane dështoi ta largonte, duke i mundësuar Daichi Kamadas të dërgojë topin në rrjetë mes një grumbulli lojtarësh.
Skuadra aziatike vazhdoi të dominojë plotësisht, ndërsa portieri tunizian Aymen Dahmen shpëtoi ekipin e tij nga një gol i sigurt, duke ndalur në vijën fatale një goditje të Ayase Uedas. Tunizia ishte pothuajse e padukshme në sulm dhe mezi arriti të kërcënonte portën kundërshtare.
Epërsia e Japonisë u dyfishua në minutën e 31-të, kur Ueda finalizoi me saktësi nga skaji i zonës, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës.
Deri në fund të pjesës së parë, Japonia kontrolloi plotësisht lojën, ndërsa tunizianët nuk gjetën asnjë mënyrë për t’u rikthyer në ndeshje.
Pamja e lojës nuk ndryshoi as pas pushimit. Edhe pse Hannibal Mejbri iu afrua golit për Tunizinë, skuadra e drejtuar nga Herve Renard vazhdoi të shfaqej pa ide dhe pa energji në fushë.
Goli i tretë erdhi në minutën e 69-të, kur Junya Ito përfitoi nga një top i thjeshtë në thellësi, fitoi duelin fizik me Mohamed Amine Ben Hmidan dhe mposhti Dahmenin me qetësi.
Pak minuta më vonë, Ueda vulosi fitoren me golin e tij të dytë personal, duke realizuar me kokë pas një harkimi që çuditërisht kaloi mes disa mbrojtësve tunizianë.
Sulmuesi u bë kështu lojtari i parë japonez që shënon dy gola në një ndeshje të Kupës së Botës.
Kjo fitore në ndeshjen e 1000-të në historinë e Kupës së Botës e afron Japoninë me kualifikimin në fazën e 1/32-ës.
Një pikë ndaj Suedisë në ndeshjen e fundit të grupit do t’u mjaftonte japonezëve për të siguruar avancimin. Në anën tjetër, Tunizia vazhdon serinë negative, me vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e fundit (2 barazime dhe 6 humbje). /Telegrafi