Kloppi e konfirmon se po rikthehet në pozitën e trajnerit: Po, jam në bisedime
Jurgen Klopp ka konfirmuar se ka zhvilluar bisedime me Federatën Gjermane të Futbollit për postin e trajnerit të kombëtares së Gjermanisë, pas dorëheqjes së Julian Nagelsmann.
Ish-trajneri i Liverpoolit, i cili aktualisht mban postin e drejtorit global të futbollit te Red Bull, pranoi se është kontaktuar nga DFB-ja, ndërsa nuk e përjashtoi mundësinë e rikthimit në stol.
Klopp theksoi se koha nuk është ideale për një lëvizje të tillë për shkak të kontratës së tij aktuale, por shtoi se situata është më e favorshme sesa ka qenë në të kaluarën.
"Po, mund të konfirmoj bisedimet. Julian dha dorëheqjen dhe DFB po punon për një plan pasuesi, ndërsa gjatë këtyre diskutimeve ata kanë kontaktuar me mua".
"Koha, edhe tani, nuk është perfekte sepse aktualisht jam nën kontratë me Red Bullin, por gjithsesi është më e mirë sesa ka qenë ndonjëherë më parë".
"Kur u largova nga Liverpooli, më mungonte energjia edhe për një vit tjetër me klubin, ndërsa tani jam më shumë se sa i rimbushur me energji".
Klopp theksoi gjithashtu rëndësinë që i kushton respektimit të kontratave, por la të kuptohet se është i hapur për negociata me federatën gjermane.
"Situata është e tillë që unë kam një kontratë ekzistuese me Red Bullin. Si person, zakonisht jam shumë i lumtur t'i respektoj kontratat".
"Por gjithashtu kam thënë se jam shumë i interesuar për këto diskutime. Këto bisedime duhet të zhvillohen dhe duhet të jenë intensive, sepse sigurisht problemet që po përjetonte Gjermania nuk ishin për shkak të Julian Nagelsmann".
"Julian Nagelsmann është një trajner i jashtëzakonshëm dhe ai do të ketë mundësinë ta dëshmojë këtë shumë herë gjatë karrierës së tij si trajner", përfundoi Klopp.