Edicioni i ri i Superligës së Kosovës nis të premten, derbi i javës së parë të dielën në mbrëmje
Kampionati elitar i Kosovës, Albi Mall Superliga e Kosovës hap sezonin e ri me pesë ndeshje në tri ditë, ndërsa vëmendja kryesore do të jetë te përballja mes Prishtinës dhe Ballkanit në “Fadil Vokrri”.
Superliga e Kosovës do ta nisë sezonin e ri 2026/27 këtë fundjavë, me xhiron e parë që do të zhvillohet në tri ditë, nga e premtja deri të dielën.
Java hapet të premten, më 14 gusht, me përballjen mes Feronikelit ’74 dhe Gjilanit, e cila do të zhvillohet nga ora 16:30 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Të shtunën, më 15 gusht, janë në program dy ndeshje. Drenica pret Dukagjinin në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ndërsa Vushtrria përballet me Malishevën në stadiumin me bari sintetik në Hajvali, me të dyja takimet që nisin në ora 16:30.
Por, vëmendja kryesore do të jetë të dielën, kur zhvillohet derbi i madh mes Prishtinës dhe Ballkanit. Dy skuadrat do të përballen në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 19:00, në një sfidë që pritet të sjellë interesim të madh që në javën e parë.
Prishtina dhe Ballkani kanë qenë ndër skuadrat kryesore të futbollit kosovar në vitet e fundit dhe përballja e tyre që në start i jep një peshë të veçantë javës hapëse.
Po të dielën, nga ora 16:30, zhvillohet edhe një tjetër përballje interesante, me Dritën që pret Llapin në stadiumin me bari sintetik në Gjilan. /telegrafi