Interi i përgjigjet Barcelonës: Lautaro Martinez nuk është në shitje

Interi i përgjigjet Barcelonës: Lautaro Martinez nuk është në shitje

Sport August 21, 2026 - 14:37

Interi i ka bërë të qartë Barcelonës se Lautaro Martínez nuk është në shitje, pavarësisht interesimit të fortë të klubit katalanas për sulmuesin argjentinas.

Sipas Marca, Barcelona tashmë ka kontaktuar me përfaqësuesit e Lautaros, ndërsa vetë lojtari do të ishte i hapur për një transferim në Camp Nou.

Megjithatë, pengesa kryesore mbetet Interi. Klubi italian nuk dëshiron të privohet nga kapiteni i tij dhe ka komunikuar qartë se nuk është i gatshëm ta shesë sulmuesin.

Në këtë situatë, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, po shqyrton alternativa të tjera për repartin ofensiv, ndërsa klubi katalanas vazhdon të presë zhvillime në lidhje me objektivin e tij kryesor, Julián Álvarez.

Barcelona e konsideron Álvarezin prioritet për sulmin, por nëse negociatat me Atlético Madridin nuk avancojnë, drejtuesit katalanas mund të detyrohen të ndryshojnë strategji.

Lautaro, ndërkohë, mbetet një opsion i preferuar nga Barcelona, por pozicioni i Interit e bën transferimin e tij jashtëzakonisht të vështirë në këtë moment.