Kurti: Xhudoja vazhdon t’i sjellë Kosovës medalje, emocione dhe krenari
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka përgëzuar ekipin kosovar të xhudos pas suksesit të arritur në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, ku xhudistët e Kosovës kanë fituar pesë medalje.
Kosova në këtë garë fitoi një medalje të argjendtë dhe katër medalje të bronzta. Laura Fazliu u stolis me medaljen e argjendtë, ndërsa Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi dhe Shpat Zekaj fituan medaljet e bronzta.
Kurti ka thënë se pas këtij suksesi qëndron puna, sakrifica dhe përkushtimi i sportistëve, por edhe i gjithë ekipit që prej vitesh punon për sukseset e xhudos kosovare.
“Edhe pesë medalje për Kosovën! Pesë medalje, në një sport. Patjetër që në xhudo”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka përgëzuar Kryemjeshtrin Driton Kuka, trajneren Majlinda Kelmendi dhe gjithë ekipin e xhudos së Kosovës për rezultatet e arritura.
“Pas këtij suksesi qëndron shumë punë, sakrificë e përkushtim i sportistëve tanë, por edhe i një ekipi të tërë që prej vitesh punon çdo ditë për ta mbajtur xhudon e Kosovës mes më të mirëve”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri ka vlerësuar se xhudoja vazhdon të jetë një nga sportet më të suksesshme për Kosovën, duke sjellë vazhdimisht medalje në gara të rëndësishme ndërkombëtare.
“Nga një garë në tjetrën, nga një brez në tjetrin, xhudoja vazhdon t’i sjellë Kosovës medalje, emocione dhe krenari. Urime të gjithëve!”, është shprehur Kurti.