Deklarata e fortë e Mbappes: Për “Topin e Artë”, votoj për veten time
Kylian Mbappe nuk e ka fshehur ambicien për të fituar “Topin e Artë”, duke besuar se ka argumente të forta për ta merituar çmimin prestigjioz individual, pavarësisht se Real Madridi nuk arriti të fitojë një trofe madhor.
Kapiteni i Francës është ndër kandidatët kryesorë për çmimin, ndërsa ceremonia e “Topit të Artë” do të zhvillohet më 26 tetor në Londër.
“Kam bërë histori këtë verë në kompeticionin më prestigjioz. Por ende ka një rrugë të gjatë për t’u përshkuar. Secili është i lirë të mendojë se kush është lojtari më i mirë në botë. Është diçka shumë personale. Disa do të thonë po, të tjerë jo”, deklaroi Mbappe.
Sulmuesi i Real Madridit pranoi se vendimi përfundimtar do të merret nga gazetarët që votojnë për çmimin.
“Është një debat dhe jo të gjithë duhet të mendojnë si unë. Ky mund të jetë një vit i mirë për ‘Topin e Artë’, por çmimi jepet nga gazetarët dhe ata do të vendosin.”
Megjithatë, kur u pyet se për kë do të votonte ai, Mbappe ishte shumë i drejtpërdrejtë.
“Për ‘Topin e Artë’, votoj për veten time”.
Francezi më pas theksoi se beson realisht se mund ta fitojë çmimin.
“Kam ndjesinë se mund ta fitoj, ndaj nuk po tërhiqem nga kjo bindje”.
I pyetur nëse “Topi i Artë” është një nga objektivat e tij, Mbappe u përgjigj: “Po, edhe në afat të shkurtër. Po afron shumë shpejt”.
Mbappe argumentoi gjithashtu se çmimi duhet të vlerësojë kryesisht paraqitjen individuale dhe jo vetëm trofetë e fituar me klubin apo kombëtaren.
“Është një trofe individual. Shikojmë se çfarë ka bërë lojtari individualisht. Njerëzit thonë se nuk kam fituar trofe, por nuk kam parë ndonjëherë një fitues të ‘Topit të Artë’ që t'i ketë plotësuar të gjitha kriteret çdo herë”.
Ai shtoi se, për shkak të natyrës subjektive të çmimit, është e pamundur që një fitues të ketë mbështetjen e të gjithëve.
“Pra, nuk po them se do ta fitoj me unanimitet, por mendoj se kam argumente të forta”.
Një nga argumentet kryesore të Mbappes është rekordi i tij në Kupën e Botës, ku ai tashmë është golashënuesi më i mirë në historinë e turneut.
“Të jesh golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e Kupës së Botës, duke kaluar legjendat më të mëdha të sportit në turneun më të rëndësishëm që është krijuar ndonjëherë, është diçka vërtet mahnitëse. Është një ngjarje globale.”
Mbappe theksoi edhe faktin se ka përfunduar si golashënuesi më i mirë në disa prej kompeticioneve më të rëndësishme.
“Të përfundosh si golashënuesi më i mirë në të gjitha kompeticionet madhore, ku garojnë lojtarët më të mirë në botë, është diçka domethënëse. Nuk e di nëse është arritur ndonjëherë më parë, por gjithmonë kam besuar se historia duhet të shpërblehet”.
Pavarësisht bindjes së tij, Mbappe pranoi se votuesit mund të kenë një tjetër mendim.
“E kuptoj ata që mund të votojnë ndryshe. Nuk jemi në një diktaturë të mendimit, por mendoj se, kur i shikon argumentet dhe konkurrencën, mund t’i thuash vetes: po, nuk do të ishte e pamerituar”.
Me statistikat dhe paraqitjet e tij, Mbappe beson se ka gjithçka të nevojshme për ta kurorëzuar një sezon historik me ‘Topin e Artë’.