Messi po blen klubin e dytë në Spanjë, këtë herë në Segunda
Lionel Messi është pranë zgjerimit të investimeve të tij në futbollin spanjoll.Ylli argjentinas ka arritur një marrëveshje në parim për të blerë 100 për qind të aksioneve të CD Eldense, klubit që garon në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll, Segunda División.
Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë klubi, përcjell Sinjali.
Marrëveshja është arritur me grupin investues kolumbian TH Soluciones Group S.A.S., aktualisht aksionari kryesor i Eldenses. Nëse përmbyllen procedurat e mbetura, Messi do të bëhet pronari i vetëm i klubit.
Megjithatë, blerja ende nuk është finalizuar zyrtarisht. Për përmbylljen e saj kërkohen procedurat e fundit ligjore dhe kontraktuale, përfshirë procesin e verifikimit financiar dhe ligjor të klubit, si dhe autorizimin e Këshillit të Lartë të Sportit në Spanjë (CSD).
Eldense, klub me seli në qytetin Elda të provincës së Alicante-s, është aktualisht në pjesën e poshtme të tabelës së Segunda División. Skuadra e ka nisur keq sezonin, ndërsa së fundmi ndau rrugët edhe me trajnerin Claudio Barragán.
Nëse operacioni përfundon me sukses, kjo do të jetë një tjetër hyrje e rëndësishme e Messit në pronësinë e klubeve të futbollit në Spanjë.
Në prill të këtij viti, argjentinasi bleu edhe UE Cornellà, klub që garon në kategoritë e ulëta të futbollit spanjoll. Dokumentet e raportuara më vonë për atë operacion tregojnë se Messi do të marrë 85.05% të kapitalit të Cornellàsë.
Kështu, Messi po ndërton gradualisht një prani të tijën në futbollin spanjoll, ndërkohë që vazhdon karrierën si futbollist te Inter Miami.