Adeyemi flet për paraqitjet e tij te Barcelona, pas dy golave spektakolarë
Sulmuesi i ri i Barcelonës, Karim Adeyemi, është përshtatur shumë shpejt me kërkesat e sistemit të Hansi Flickut, duke lënë gjurmë që në paraqitjet e para me fanellën katalanase.
Sulmuesi gjerman ka shënuar në dy ndeshjet e fundit, duke realizuar gola spektakolarë ndaj Feyenoordit dhe Levantes.
Duke komentuar golin e tij të jashtëzakonshëm në fitoren ndaj Levantes, Adeyemi tregoi se gjithçka ndodhi në mënyrë instinktive.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe, të them të drejtën, nuk e di as vetë se si ndodhi. Isha larg portës, kështu që nuk ishte një pozicion nga i cili mund të shënoja lehtësisht, por në atë moment duhej të gjeja një zgjidhje të shpejtë”, deklaroi Adeyemi.
“Paraqitjet e mia më të mira janë kur nuk mendoj për asgjë në fushë dhe lëvizjet më vijnë natyrshëm”.
“Mendoj se gjithmonë mund të jap edhe më shumë. Por jam i lumtur për çdo minutë që luaj, për çdo gol që shënoj dhe për çdo fitore që arrijmë”
“Nëse mund ta ndihmoj ekipin, aq më mirë. Ne duam t’i fitojmë të gjitha”, shtoi sulmuesi gjerman.
Adeyemi po fiton gjithnjë e më shumë besimin e Flickut, ndërsa paraqitjet e tij të fundit kanë rritur pritshmëritë për ndikimin që mund të ketë gjatë këtij sezoni.
Me shpejtësinë, teknikën dhe aftësinë për të krijuar aksione individuale, gjermani synon të bëhet një nga lojtarët kryesorë në repartin ofensiv të Barcelonës. /telegrafi

