Reali rivalizon Barcelonën për talentin e Man Unitedit

Reali rivalizon Barcelonën për talentin e Man Unitedit

Sport September 20, 2026 - 13:47

Real Madridi është futur në garën për transferimin e talentit të Manchester Unitedit, JJ Gabriel, i cili po konsiderohet si një nga futbollistët e rinj më premtues të akademisë së klubit anglez.

15-vjeçari ka kërkuar ndërprerjen e regjistrimit të tij te Manchester Unitedi, duke hapur mundësinë e largimit nga “Old Trafford”.

Gabriel së fundmi është parë në Barcelonë, në një kohë kur raportohet se ai, familja e tij dhe drejtues të klubit katalanas kanë zhvilluar bisedime për një transferim të mundshëm.

Gabriel vlerësohet lart për potencialin e tij dhe prej kohësh konsiderohet një prej talenteve më të spikatura të akademisë së “Djajve të Kuq”.

Megjithatë, Manchester Unitedi ka të drejtë ta refuzojë kërkesën e tij dhe ta mbajë kontratën në fuqi deri në verën e ardhshme, kur lojtari do të mbushë 16 vjeç.

Sipas “Diario AS”, Real Madridi tashmë po e shqyrton me kujdes mundësinë për të ndërhyrë në këtë garë dhe për ta transferuar talentin anglez.

Situata është e komplikuar për shkak të rregullave që hynë në fuqi pas Brexit-it, të cilat kufizojnë transferimin e futbollistëve nën 18 vjeç nga klubet angleze drejt vendeve të tjera evropiane.

Megjithatë, Gabriel ka pasaportë irlandeze, çka mund të krijojë një mundësi ligjore për një transferim përpara se ai të mbushë 16 vjeç.

Klubet e interesuara raportohet se po kërkojnë këshilla ligjore për mënyrën se si mund të realizohet një marrëveshje, ndërsa gara mes Barcelonës dhe Real Madridit për talentin e Manchester Unitedit pritet të zhvillohet edhe më tej.