“E kam vaksinuar”, mjekja e Xhakës del kundër deklaratave të yllit shqiptar lidhur me certifikatën e falsifikuar

Sport September 22, 2026 - 20:14

Rasti i Granit Xhakës për certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19 ka marrë një tjetër kthesë, pasi mjekja që lëshoi dokumentin për kapitenin e Kombëtares së Zvicrës ka deklaruar se ajo e ka vaksinuar futbollistin në mënyrë të rregullt.

Andrea L, mjekja që i ka lëshuar Xhakës certifikatën e diskutueshme, ka folur për Blick dhe ka insistuar se vaksinimi ka ndodhur realisht.

“E kam vaksinuar Xhakën siç duhet”, deklaroi ajo.

Të premten, Blick raportoi se ndaj Xhakës është nisur një procedurë penale. Futbollisti dyshohet se në vitin 2022 kishte siguruar një certifikatë të rreme të vaksinimit kundër COVID-19. Hetimi lidhet me dyshimet për falsifikim dhe me pyetjen nëse Xhaka e kishte siguruar në mënyrë mashtruese një dokument të tillë.

Fillimisht, rrethi i Xhakës i kishte mohuar akuzat. Zëdhënësi i tij, Andreas Bantel, kishte deklaruar se lojtari kishte konfirmim nga mjeku i tij se e kishte marrë dozën e parë të vaksinës më 25 janar 2022 dhe të dytën më 11 nëntor të po atij viti. Më vonë, Bantel e korrigjoi datën e dozës së dytë në 8 nëntor.

Por të hënën, Xhaka bëri një deklaratë befasuese duke pranuar se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi.

“Ndihesha thellësisht mosbesues ndaj vaksinës dhe isha i pushtuar nga frika dhe pasiguria. Në atë gjendje emocionale, mora një certifikatë vaksinimi në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia përmes kanaleve të duhura. Sot e shoh qartë se kjo ishte rruga e gabuar. Ishte një gabim. Më vjen keq”, kishte thënë Xhaka.

Megjithatë, deklarata e fundit e mjekes sjell një tjetër element në këtë rast.

Blick e takoi Andrea L. të martën në ordinancën e saj në Luzern, e cila vazhdon të jetë e hapur dhe të funksionojë normalisht.

Mjekja tha se ditët e fundit kanë qenë të vështira dhe stresuese, por mohoi raportimet se ordinanca e saj ishte mbyllur.

“Ngjarjet e ditëve të fundit janë befasuese dhe stresuese në të njëjtën kohë. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet së shpejti pozitivisht”.

“Jam ende në dispozicion të pacientëve të mi. Ordinanca, natyrisht, është e hapur”.

Andrea L. tregoi gjithashtu për mënyrën se si kishte funksionuar vaksinimi gjatë pandemisë së koronavirusit. Ajo kishte nisur të vaksinohej kundër COVID-19 në vitin 2021, në bashkëpunim me një farmacist të njohur.

Në fillim të vitit 2022, Xhaka kishte kontaktuar me të për të siguruar një certifikatë vaksinimi.

“Meqë ai tashmë kishte antitrupa, vaksinimi i parë ishte menduar si një dozë përforcuese”.

Sipas versionit të mjekes, për Xhakën ishte e nevojshme vetëm një dozë vaksine dhe ajo dozë është administruar realisht. Më pas, ajo i kishte lëshuar certifikatën e vaksinimit.