“Nuk na interesonte më futbolli”, Robertson zbulon si Liverpooli u përballë me vdekjen e Diogo Jotas
Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Andrew Robertson, ka folur hapur për ndikimin që pati vdekja tragjike e ish-shokut të tij të skuadrës, Diogo Jota, te futbollistët e klubit.
Jota humbi jetën në një aksident me veturë në Zamora të Spanjës në korrik të vitit të kaluar, në moshën 28-vjeçare, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva, 25 vjeç. Lajmi tronditi Liverpoolin, ndërsa futbollistët e klubit u përballën me një periudhë jashtëzakonisht të vështirë emocionale.
Liverpooli, që në atë kohë ishte kampion i Ligës Premier, pati një sezon shumë të dobët, duke humbur nëntë nga 12 ndeshje mes shtatorit dhe nëntorit, para se ta përfundonte sezonin në vendin e pestë dhe të shkarkonte trajnerin Arne Slot.
Duke folur në podcastin “Stick to Football”, Robertson tregoi se futbolli kishte kaluar në plan të dytë pas tragjedisë.
“Është e vështirë të përshkruhet apo të flitet për të, sepse ajo që kaluam ishte e tmerrshme”.
“Lojtarët e rinj po vinin në një klub zemërthyer. Ata po përpiqeshin dhe pikërisht për këtë më vinte shumë keq për këta djem, sepse kishin ardhur dhe po nënshkruanin për shumë para dhe gjithçka tjetër, nëse flasim për futbollin. Atyre iu deshën muaj për t’u përshtatur, sepse ne nuk na interesonte. Nuk na interesonte futbolli”.
“Kjo ishte e vërteta. Nuk na interesonte futbolli, sepse sapo kishe humbur një nga miqtë e tu më të mirë në dhomën e zhveshjes”.
Robertson beson se pikërisht gjendja emocionale e skuadrës ndikoi edhe në paraqitjet e Liverpoolit dhe në mënyrën se si u pritën lojtarët e rinj.
“Për këtë kam kaq shumë mirëkuptim për lojtarët e rinj në aspektin futbollistik, sepse ata erdhën në një ekip që kishte qenë elitar në gjithçka që bënte për vite me radhë dhe ndoshta ne nuk mund të ishim të tillë për shkak të asaj që kishte ndodhur. Pastaj ata nisën të merrnin shumë kritika”.
“Për këtë mendoj se këta djem do të jenë absolutisht mirë te Liverpooli. Unë do ta konsideroja këtë sezon si sezonin e tyre të parë. Kështu do ta shihja unë”.
Robertson foli edhe për humbjen e motivimit dhe të asaj që ai e përshkroi si “mprehtësi” sportive brenda skuadrës.
“Besoj se të gjithë futbollistët e kemi atë mprehtësi, apo jo? Dhe kur e humb atë mprehtësi ndonjëherë, nuk mund të performosh në nivelin më të mirë. Mendoj se sezonin e kaluar e humbëm atë mprehtësi.”
“Kur e shikoj tani, mendoj se e humbëm paksa atë vendosmëri dhe gjëra të tilla, sepse e di që në momente të caktuara ndoshta thoshim: ‘E dini çfarë, çfarë rëndësie ka?’ Shikoni se çfarë po kalon familja e Jotas. Shikoni fëmijët e tij”.
“Por po, ne ishim në zi. Ai ishte shoku ynë në fund të fundit. Për ne, ai nuk ishte futbollist; ishte shok skuadre, ishte mik.”
Robertson zbuloi edhe një detaj veçanërisht prekës për marrëdhënien e tij me Jotan.
“Një javë para se të vdiste, isha në dasmën e tij. Kjo është një nga gjërat më të vështira që mund të përjetosh. Ta shohësh në ditën më të lumtur të jetës së tij dhe pastaj, një javë më vonë, ta shohësh familjen e tij të shkatërruar”.
Diogo Jota nuk është harruar nga Liverpooli. Klubi ka vendosur një memorial të përhershëm në “Anfield” për Jotan dhe vëllain e tij Andre Silva, të quajtur “Përgjithmonë 20”.