Ndeshja e të martës kundër Beninit e fundit për Messin te Argjentina

Ndeshja e të martës kundër Beninit e fundit për Messin te Argjentina

Sport October 04, 2026 - 18:31

Lionel Messi do ta zhvillojë të martën ndeshjen e fundit me përfaqësuesen e Argjentinës, duke i dhënë fund një kapitulli që ka zgjatur më shumë se dy dekada.

Argjentina do të përballet me Beninin në stadiumin “Monumental” në Buenos Aires, në ndeshjen që pritet të shërbejë si lamtumira e Messit nga përfaqësuesja.

Historia e Messit me Argjentinën ka nisur në rrethana të pazakonta. Kur ai ishte adoleshent dhe po zhvillohej në akademinë e Barcelonës, federata argjentinase mezi kishte informacion për talentin nga Rosario.

Messi ishte larguar në Spanjë si i ri, ndërsa Spanja kishte tentuar ta bindte që të luante për përfaqësuesen e saj. Në të njëjtën kohë, drejtuesit argjentinas po përpiqeshin ta gjenin dhe ta afronin me ekipet e tyre kombëtare.

Në Botërorin U17 të vitit 2003 në Finlandë, Spanja e kishte mposhtur Argjentinën 3:2 pas vazhdimeve në gjysmëfinale. Pas ndeshjes, Cesc Fabregas, atëherë bashkëlojtar i Messit në akademinë e Barcelonës, u kishte thënë delegatëve argjentinas se kishin humbur ndaj skuadrës që kishte lojtarin më të mirë të Argjentinës.

Për gjetjen e Messit madje kishte pasur edhe konfuzion rreth emrit të tij. Një punonjës i Federatës Argjentinase të Futbollit kishte arritur të gjente familjen Messi në Spanjë përmes një numri telefoni nga Rosario, por kishte kërkuar “Leonardon”.

“Emri i tij nuk është Leonardo, por Lionel”, i ishte përgjigjur familja, sipas dokumentarit “Messi: The Forgotten Tape”.

Edhe mbiemri ishte shkruar gabimisht në një komunikim të federatës me Barcelonën, ku Messi ishte identifikuar si “Mecci”.

Pas debutimeve në ndeshjet miqësore të ekipit U20 në vitin 2004, Messi është dashur të përballet me dyshimet e tifozëve argjentinas. Në fillim, ai është kritikuar se nuk po arrinte me përfaqësuesen atë që bënte me Barcelonën.

Madje, një pjesë e tifozëve e kanë cilësuar si “pecho frío”, duke vënë në dyshim pasionin dhe përkushtimin e tij me fanellën e Argjentinës.

Raporti mes Messit dhe tifozëve ka nisur të ndryshojë gradualisht. Një moment i rëndësishëm ka qenë ndeshja kualifikuese ndaj Kolumbisë në vitin 2011, kur Messi, pavarësisht lodhjes dhe problemeve fizike, ka udhëhequr Argjentinën drejt fitores.

Pas humbjes në finalen e Copa America 2016 ndaj Kilit, Messi për një periudhë ka njoftuar pensionimin nga përfaqësuesja. Tifozët argjentinas kanë kërkuar rikthimin e tij dhe me kalimin e viteve marrëdhënia mes yllit dhe vendit të tij është forcuar.

Nën drejtimin e Lionel Scalonit, Messi e ka udhëhequr Argjentinën drejt dy titujve të Copa America dhe triumfit në Kupën e Botës 2022.

Ai është bërë lideri i padiskutueshëm i një gjenerate që ka rikthyer Argjentinën në majat e futbollit botëror.

Gazetari argjentinas Sergio Levinsky, autor i librit “Messi dhe gjithçka tjetër”, e ka përshkruar marrëdhënien mes Messit dhe Argjentinës si një dashuri që është ndërtuar gradualisht.

“Messi ishte sikur papritur të zbulonit se keni një djalë tetëmbëdhjetëvjeçar. Duhet të filloni ta doni pa e ditur më parë se ekzistonte. Ishte një dashuri në ndërtim”, ka thënë Levinsky.

Pas më shumë se njëzet vjetësh, kjo histori do të arrijë në fund të saj të martën, kur Messi pritet të paraqitet për herë të fundit me fanellën e Argjentinës.