Kombëtarja U-21 e Kosovës nuk arrin të kualifikohet në Evropianin, që do të mbahet në Shqipëri e Serbi
Kosova U21 e ka mbyllur të martën një tjetër kampanjë kualifikuese për Kampionatin Evropian.
Kombëtarja U21 e Kosovës theu rekordin e pikëve në një cikël kualifikues, pasi fitoi 15 pikë në total.
Por Kosova nuk do të jetë pjesë e Evropianit që gjatë vitit të ardhshëm do të mbahet në Shqipëri dhe Serbi.
Kombëtarja e re dardane përfundoi e katërta në Grupin A pas barazimit 4-4 ndaj Finlandës U21 të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Nga 10 ndeshje në total, pati katër fitore, tri barazime e tri humbje.
Spanja u kualifikua në Evropianin Shqipëri – Serbi me 27 pikë, nga grupi i Kosovës.
Në vendin e dytë përfundoi Finlanda U21 me 23 pikë.
Kosova që mori 15 pikë, prapa vetes la Qipron dhe San Marinon, derisa Rumania e mbylli ciklin kualifikues në vendin e tretë.
Medin Gashi shënoi për epërsinë 1-0 të “Dardanëve” të rinj në minutën e 15-të.
Dy minuta më vonë, Laurent Xhylani, humbi penallti, ndërsa finlandezët barazuan shifrat në 1:1 me golin e shënuar nga Arttu Lotjonen.
Futbollisti i Finlandës shënoi golin e barazimit në minutën e 34-t.
Katër minuta më vonë, Kosova kaloi sërish në epërsi.
Golin për 2-1 e shënoi Lendrit Shala. Ai u asistua nga Xhylani.
Me rezultatin 2-1 në të mirë të Kosovës përfundoi pjesa e parë.
Në fillim të pjesës së dytë, saktësisht në minutën e 48-të, Finlanda barazoi rezultatin nëpërmjet Marius Soderback.
Medin Gashi kaloi sërish Kosovën në epërsi në minutën e 57-të për 3-2, ndërsa në minutën e 73-të për 3-3 shënoi Matias Siltanen.
Faton Ademi shënoi golin për 4-3 në minutën e 84-t, ndërsa Onni Helen realizoi në minutën e 90-të golin e barazimit 4-4.