Jorge Jesus reagon ndaj deklaratës së Ronaldos: Nuk e kam lexuar

Jorge Jesus reagon ndaj deklaratës së Ronaldos: Nuk e kam lexuar

Sport October 07, 2026 - 11:37

Jorge Jesus ka dhënë një përgjigje domethënëse pas deklaratës së Cristiano Ronaldos, i cili të martën publikoi versionin e tij për atë që ndodhi në grumbullimin e Portugalisë.

Trajneri i Portugalisë u prit nga një numër i madh gazetarësh jashtë shtëpisë së tij, të cilët kërkonin reagimin e tij ndaj deklaratës së gjatë të kapitenit portugez.

Megjithatë, Jesusi zbuloi se ende nuk e kishte lexuar atë.

“Kam qenë në ndeshjen e Portugalisë U21 kundër Çekisë. Nuk pata kohë ta lexoja”, deklaroi Jesusi.

Ronaldo, në deklaratën e tij, tregoi se Jesusi i kishte kërkuar në ditën e ndeshjes ndaj Norvegjisë nëse ishte i gatshëm të luante. Sulmuesi pranoi, edhe pse kjo nuk ishte pjesë e planit të tij të rikuperimit.

Sipas Ronaldos, Jesusi i kishte thënë se duhej të përgatitej, pasi do të luante për rreth 30 minuta. Ronaldo nisi nxehjen që nga pjesa e dytë, por në fund nuk u aktivizua.

“Trajneri e theu fjalën që më kishte dhënë”, shkroi Ronaldo.

Pas ndeshjes, ylli i Al Nassrit nuk shkoi të përshëndeste tifozët portugezë. Ai e pranoi se ky ishte një gabim dhe kërkoi falje për veprimin.

Dy ditë më vonë, Ronaldo tha se zhvilloi një takim me Jesusin dhe drejtorin sportiv të Al Nassrit, Simao Coutinho.

Sipas tij, ishte rënë dakord që trajneri ta sqaronte publikisht se Ronaldo nuk kishte kërkuar të luante dhe se aktivizimi i tij ishte diskutuar vetëm nga Jesusi.

Por, sipas Ronaldos, gjërat nuk shkuan kështu.

Ai pretendoi se gjatë bisedës pati një qasje agresive nga trajneri dhe se Jesusi nuk e respektoi atë që ishte diskutuar më herët.

Ronaldo e konsideroi këtë si herën e dytë që Jesusi kishte thyer fjalën ndaj tij dhe më pas vendosi të largohej nga grumbullimi i Portugalisë.

Kapiteni portugez mori gjithashtu përgjegjësinë për largimin, duke kërkuar falje ndaj bashkëlojtarëve dhe tifozëve, ndërsa pranoi se Federata portugeze mund ta dënonte për veprimin e tij.

Ndërkohë, Jesusi nuk dha asnjë përgjigje të drejtpërdrejtë për akuzat e Ronaldos.

Trajneri thjesht deklaroi se nuk kishte pasur ende mundësi ta lexonte deklaratën dhe se ishte i angazhuar duke ndjekur fitoren 2-0 të Portugalisë U21 ndaj Çekisë.

Tashmë pritet me interes reagimi i plotë i Jorge Jesusit, pasi ai ta lexojë versionin e Ronaldos dhe të vendosë të flasë për atë që ndodhi mes tyre. /Zëri