Superliga e Kosovës luan mbi plastikë, FFK-ja vazhdon të heshtë!

Superliga e Kosovës luan mbi plastikë, FFK-ja vazhdon të heshtë!

Sport October 09, 2026 - 23:25

Në Evropë po merren masa për kufizimin e materialeve të përdorura në fushat sintetike, ndërsa në Kosovë stadiumet e futbollit elitar ende kanë sipërfaqe artificiale.

Ku janë kriteret, kontrollet dhe përgjegjësia e Federatës së Futbollit të Kosovës?

Futbolli luhet me talent, përgatitje dhe pasion, por edhe mbi fusha që duhet t’i plotësojnë standardet e sigurisë dhe cilësisë, shkruan Zëri.

Në Superligën e Kosovës, megjithatë, një problem i madh vazhdon të jetë i pranishëm: fushat me bar sintetik, mbi të cilat futbollistët tanë zhvillojnë ndeshje javë pas jave.

Në një kohë kur futbolli evropian investon në infrastrukturë moderne, në Kosovë ende pranohet që ndeshjet e nivelit më të lartë të zhvillohen në fusha artificiale.

Shumica e stadiumeve fatkeqësisht e përdorin sipërfaqen me bar sintetik, përjashto këtu Prishtinën e Llapin.

Kjo ngre një pyetje të pashmangshme: a po kërkohet vërtet standard i lartë për Superligën, apo mjafton vetëm që një fushë të jetë e gatshme për lojë?

Futbollistët nuk meritojnë të luajnë në kushte që nuk i zgjedhin vetë

Fusha është vendi i punës së futbollistit. Aty stërvitet, garon, rrëshqet, bie dhe përballet me duele fizike.

Cilësia e sipërfaqes ndikon në mënyrën se si luhet futbolli, në sjelljen e topit dhe në kushtet në të cilat zhvillohet loja.

Prandaj, diskutimi për barin sintetik nuk mund të reduktohet vetëm te kostoja e mirëmbajtjes apo te fakti se një stadium është i përdorshëm.

Çështja bëhet edhe më serioze kur flitet për materialet e përdorura në këto fusha.

Agjencia Evropiane e Kimikateve (ECHA) ka trajtuar rreziqet e mundshme nga granulat e gomës që përdoren si mbushës në sipërfaqet sintetike, përfshirë praninë e hidrokarbureve aromatike policiklike (PAH), disa prej të cilave janë kancerogjene.

Bashkimi Evropian ka vendosur kufizime për këto substanca dhe ka miratuar një periudhë kalimtare deri më 17 tetor 2031 për ndalimin e granulateve të mikroplastikës që përdoren si mbushës në fushat sportive artificiale.

Kjo nuk do të thotë se çdo fushë sintetike është kancerogjene.

Por do të thotë se materialet, përbërja kimike dhe siguria e tyre duhet të kontrollohen seriozisht.

Pikërisht këtu lind pyetja: a ka Kosova kontrolle të rregullta, dokumentacion për materialet e përdorura dhe transparencë për sigurinë e fushave ku luajnë futbollistët e Superligës?

Dhe këtu përgjegjësia e FFK-së nuk mund të anashkalohet.

Federata e Futbollit të Kosovës nuk mund të mjaftohet vetëm me organizimin e garave dhe publikimin e kalendarit të ndeshjeve.

Ajo duhet të jetë institucioni që kërkon standarde, vendos kritere të qarta dhe sigurohet që klubet të garojnë në kushte të përshtatshme.

Nëse një klub synon të luajë në Superligë, atëherë infrastruktura duhet të jetë pjesë thelbësore e kritereve të licencimit.

Nuk mjafton që fusha të ketë përmasa të rregullta, porta dhe vijëzime.

Duhet të vlerësohen edhe lloji i sipërfaqes, cilësia e saj, certifikimi, mirëmbajtja dhe siguria e materialeve të përdorura.

Pse nuk publikohet një plan i qartë për përmirësimin e fushave të Superligës?

Pse nuk përcaktohen afate për klubet që duhet të investojnë në infrastrukturë më cilësore?

Dhe pse nuk bëhen publike rezultatet e kontrolleve që do të duhej të garantonin sigurinë e futbollistëve?

Shumë futbollistë kanë pësuar lëndime serioze pikërisht shkaku i fushave me bar sintetik.

Këto nuk janë kërkesa luksi. Janë kërkesa elementare për një kampionat që pretendon të zhvillohet dhe të fitojë respekt.

Është e kuptueshme se jo çdo klub ka mundësi financiare për të ndërtuar menjëherë një stadium me bar natyral.

Por mungesa e mjeteve nuk mund të jetë arsye për mungesë kriteresh.

FFK-ja mund të hartojë një plan shumëvjeçar, të bashkëpunojë me komunat dhe institucionet publike, të kërkojë investime dhe të përcaktojë standarde minimale të detyrueshme për të gjithë.

Ajo që nuk mund të pranohet është që problemi të vazhdojë nga sezoni në sezon, pa një plan të qartë dhe pa përgjegjësi të përcaktuar.

Superliga nuk mund të jetë elitë vetëm në emër.

Nëse Kosova dëshiron të përmirësojë futbollin e saj, duhet të investojë jo vetëm te lojtarët dhe trajnerët, por edhe te kushtet në të cilat zhvillohet loja.

Nuk mund të kërkohet futboll cilësor në infrastrukturë që nuk i përgjigjet ambicieve të kampionatit.

FFK-ja duhet të dalë publikisht me një qëndrim: cilat janë kriteret aktuale për fushat e Superligës, çfarë kontrollesh kryhen për sigurinë e sipërfaqeve sintetike dhe cili është plani për përmirësimin e infrastrukturës?

Futbollistët e Kosovës nuk duhet të presin që fusha të bëhet problem vetëm pasi të ndodhë një incident, të shfaqet një shqetësim shëndetësor apo të vijë një kritikë nga jashtë.

Sepse një kampionat që synon të ecë përpara nuk mund të mbyllë sytë ndaj fushës mbi të cilën luhet.

Dhe një federatë që kërkon standarde nga klubet duhet të jetë e para që i vendos ato. /Zëri