UEFA i shpall “luftë” Infantinos: propozon reformë të thellë në FIFA
Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s po bëhet gjithnjë e më e fortë.
UEFA ka përsëritur se ka humbur besimin te drejtimi aktual i FIFA-s, pa e përmendur drejtpërdrejt presidentin Gianni Infantino.
Në një komunikatë pas takimit në Berlin, federatat europiane – me përjashtim të Azerbajxhanit – kanë mbështetur një platformë të përbashkët reformash që synon ndryshime të mëdha në qeverisjen, proceset vendimmarrëse dhe menaxhimin e burimeve financiare të FIFA-s.
Sipas UEFA-s, futbolli botëror ka nevojë për “një figurë të respektuar dhe të aftë për të bashkuar, të rrënjosur thellë në futboll”, një formulim që shihet si kritikë e qartë ndaj Infantinos.
Çfarë kërkon UEFA?
Ndër propozimet kryesore janë:
Ndarja e qartë e pushteteve mes Kongresit, Këshillit, Byrosë, presidentit dhe sekretarit të përgjithshëm.
Më shumë kompetenca për Byronë e FIFA-s, me një rol të përcaktuar ekzekutiv.
Forcimi i Këshillit të FIFA-s, i cili duhet të ketë rol më të madh në vendimet strategjike.
Presidenti duhet të drejtojë dhe përfaqësojë FIFA-n, por të mos merret me funksionet administrative të përditshme.
Vendimet e rëndësishme për kalendarin ndërkombëtar dhe kompeticionet e FIFA-s të mos merren në mënyrë të njëanshme.
Federatat anëtare të kenë mundësi të kërkojnë që çështje të caktuara të diskutohen nga Këshilli i FIFA-s.
Forcim i organeve të etikës, disiplinës, auditimit dhe kontrollit.
UEFA kërkon gjithashtu një sistem më transparent për përdorimin e rezervave financiare të FIFA-s dhe propozon të paktën 10 milionë dollarë financim shtesë për çdo federatë, përtej fondeve të programit FIFA Forward.
Në thelb, mesazhi i UEFA-s është se nuk mjafton ndryshimi i disa rregullave – kërkohet një ndryshim i mënyrës se si drejtohet FIFA.
Kjo vjen në një moment kur përplasja mes dy institucioneve është thelluar dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s po afrohen. /Zëri