Nga titullar i padiskutueshëm në rezervë te Barcelona, Koundé mund të largohet
Chelsea dhe Bayern Munichu në garë për mbrojtësin francez, Barcelona kërkon të paktën 50 milionë euro për kartonin e tij.
Jules Koundé po kalon një periudhë të vështirë te Barcelona, ku ka humbur statusin e titullarit dhe e ardhmja e tij në klubin katalanas ka filluar të vihet në pikëpyetje.
Francezi 27-vjeçar ishte ndër mbrojtësit e djathtë më të vlerësuar në Evropë gjatë sezonit 2024/25, por situata ka ndryshuar ndjeshëm nën drejtimin e Hansi Flickut.
Trajneri gjerman tashmë po preferon alternativa të tjera në formacion, me Eric Garcían që ka fituar besimin e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Edhe Gerard Martín është shndërruar në një alternativë të rëndësishme, ndërsa Koundé nuk ka arritur të ruajë rolin që kishte më parë.
Chelsea dhe Bayern Munich në ndjekje
Humbja e vendit në formacionin bazë ka rikthyer interesimin e klubeve të mëdha evropiane për shërbimet e mbrojtësit francez.
Sipas raportimeve të mediave, Chelsea vazhdon ta monitorojë situatën e Koundés.
Klubi londinez kishte tentuar ta transferonte atë edhe në vitin 2022, por atëherë Barcelona kishte arritur ta fitonte garën për nënshkrimin e tij.
Interesim për futbollistin ka shfaqur edhe Bayern Munich, i cili po e shqyrton mundësinë e afrimit të tij për të përforcuar repartin defensiv.
Sipas raportimit të Tuttomercatoweb, disa klube të Premierligës po e përcjellin gjithashtu nga afër situatën e francezit, ndërsa afati kalimtar i janarit mund të sjellë zhvillime të reja.
Barcelona kërkon 50 milionë euro
Barcelona thuhet se është e gatshme ta shqyrtojë shitjen e Koundés për një ofertë prej të paktën 50 milionë eurosh.
Klubi katalanas po vlerëson mundësinë e ndryshimeve në skuadër, me synimin për të përforcuar repartin ofensiv ose për të investuar në një mbrojtës të ri.
Megjithatë, vetë Koundé nuk e ka në plan largimin nga Barcelona.
Francezi është i kënaqur me klubin dhe jetën në qytetin katalanas, ndërsa synon të punojë për ta rikthyer formën e tij më të mirë dhe për ta fituar sërish vendin në formacionin bazë.
Mbetet të shihet nëse ai do të arrijë t’i ndryshojë hierarkitë te Barcelona apo nëse interesimi i klubeve të mëdha do ta shtyjë drejt një aventure të re. /Zëri