Flick pas fitores: Nuk ishte e lehtë pas pushimit
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, është shprehur i kënaqur me fitoren 3-0 ndaj Getafes, duke theksuar rëndësinë e golit të hershëm dhe vështirësitë që skuadra pati pas një periudhe të gjatë pushimi.
“Sot ishte shumë e rëndësishme të shënonim herët. Kjo na dha edhe më shumë besim. Nuk ishte e lehtë pas tri javësh pushim. Getafe mbrohet shumë mirë dhe është një nga skuadrat më të mira në aspektin defensiv në La Liga. Megjithatë, në fund e kontrolluam ndeshjen dhe kundërshtarin”, deklaroi Flick.
Tekniku gjerman theksoi se përballjet me Getafen janë gjithmonë të vështira, pasi kundërshtari organizohet mirë në mbrojtje dhe nuk lejon krijimin e shumë rasteve.
“Ndeshjet kundër Getafes nuk janë të lehta. Ata mbrohen shumë mirë dhe është e vështirë të krijosh raste. Jam shumë i kënaqur që shënuam që në minutën e parë. Nuk është e lehtë të rikthehesh pas pushimit, sidomos kur kanë kaluar tri javë dhe shumë lojtarë kanë qenë në angazhime me kombëtaret. Kjo nuk më pëlqen dhe duhet ta menaxhojmë situatën”, u shpreh ai.
Flick i kënaqur me Gordonin
Flick foli edhe për Gordonin, i cili shënoi golin e tij të parë me fanellën e Barcelonës dhe ndihmoi skuadrën drejt fitores bindëse.
“Mendoj se ai po bën shumë mirë, edhe më herët kur nuk shënonte. Jemi të kënaqur me të. Këtë e pamë edhe gjatë angazhimeve me kombëtaren, ku ishte plot besim. Tani shënoi edhe golin e tij”, tha trajneri i Barcelonës.
Në fund, Flick vlerësoi edhe kontributin e përgjithshëm të lojtarit, duke veçuar shpejtësinë, kontrollin e topit dhe aftësinë për të krijuar raste.
“Ai kontribuon shumë. Është i shpejtë, e kontrollon mirë topin, arrin edhe te topat e vështirë, driblon dhe krijon raste”, përfundoi Flick. /Zëri