Netflix i merr të drejtat e Botërorit 2030, do t’i transmetojë të 104 ndeshjet

Netflix i merr të drejtat e Botërorit 2030, do t’i transmetojë të 104 ndeshjet

Sport October 13, 2026 - 20:21

Netflix ka siguruar të drejtat ekskluzive për transmetimin e Kupës së Botës 2030 në Spanjë dhe Andorrë.

Platforma do t’i transmetojë drejtpërdrejt të gjitha 104 ndeshjet e turneut, në një marrëveshje që shënon një hap të rëndësishëm në zgjerimin e saj në sportin live.

Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Netflix, e cila do t’u ofrojë abonentëve në Spanjë dhe Andorrë mundësinë për të ndjekur çdo ndeshje të Botërorit 2030, që do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku.

Ky edicion do të jetë i veçantë, pasi do të shënojë 100-vjetorin e organizimit të Kupës së Botës.

Për të nderuar historinë e turneut, tri ndeshjet hapëse do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, përpara se kompeticioni të vazhdojë në Evropë dhe Afrikë.

Marrëveshja parashikon gjithashtu që tifozët në Spanjë të kenë mundësi të ndjekin falas një ndeshje për çdo ditë të garës.

Për më tepër, një televizion kombëtar pa pagesë do të mund të transmetojë një paketë të caktuar ndeshjesh, ku do të përfshihen të gjitha takimet e Spanjës, të dyja gjysmëfinalet dhe finalja.

Vlera financiare e marrëveshjes nuk është bërë publike.

Netflix po e zgjeron gjithnjë e më shumë praninë e saj në transmetimet sportive. Kompania ka siguruar gjithashtu të drejtat për Kupat e Botës për femra të viteve 2027 dhe 2031 në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Marrëveshja për Botërorin 2030 përfaqëson një lëvizje të rëndësishme për platformën, e cila synon të sjellë përmbajtje sportive drejtpërdrejt te miliona shikues, duke ndryshuar mënyrën se si tifozët ndjekin kompeticionet më të mëdha të futbollit.

Megjithatë, të drejtat e konfirmuara nga Netflix vlejnë për Spanjën dhe Andorrën.

Kjo do të thotë se transmetimi i Botërorit 2030 në Kosovë dhe në vendet e tjera do të varet nga marrëveshjet e veçanta për të drejtat televizive. /Zëri