“Sjellje e dhunshme” – CTA-ja s’e rishikon rastin e përjashtimit të Viniciusit

“Sjellje e dhunshme” – CTA-ja s’e rishikon rastin e përjashtimit të Viniciusit

Sport October 14, 2026 - 08:59

Komiteti Teknik i Arbitrave në Spanjë (CTA) nuk ka përfshirë në programin e tij “Tiempo de Revision” rastin e përjashtimit të Vinicius Juniorit në ndeshjen mes Real Madridit dhe Villarrealit.

Sipas "Mundo Deportivo", kjo lidhet me faktin se organi i arbitrave nuk ka dyshime për vendimin e gjyqtarit.

Viniciusi u ndëshkua me karton të kuq pas një episodi ku i tërhoqi flokët futbollistit të Villarrealit, Nathan Saliba.

Gjyqtari Isidro Díaz de Mera e mori vendimin pasi u thirr për ta rishikuar aksionin në VAR, ku ishte Alejandro Muniz Ruiz.

Sipas udhëzimeve të CTA-së, të përfshira në dokumentin CARD, tërheqja e flokëve mund të konsiderohet si sjellje e dhunshme, kur përdoret forcë e tepruar ose brutalitet ndaj kundërshtarit, pa qenë në garë për topin.

Dokumenti përmend shprehimisht tërheqjen e flokëve mes veprimeve që mund të ndëshkohen me karton të kuq, së bashku me goditjet me bërryl, kokë apo grusht, kafshimin dhe veprime të tjera të dhunshme.

Megjithatë, ende mbetet për t'u përcaktuar kohëzgjatja e pezullimit të brazilianit.

Sipas "Mundo Deportivo", nëse aksioni konsiderohet pjesë e lojës, dënimi mund të jetë një ndeshje, ndërsa nëse vlerësohet se ka ndodhur jashtë aksionit të lojës, mund të arrijë në dy ndeshje.

Këtyre mund t'u shtohet edhe një ndëshkim për reagimin e Viniciusit pas përjashtimit, çështje që do të shqyrtohet nga Komiteti i Disiplinës i Federatës spanjolle të Futbollit.

Vendimi përfundimtar, sipas raportimit të mediumit spanjoll, pritet të bëhet i ditur të shtunën. /Zëri