Goditje spektakolare në horizont, Real Madrid përgatitet të hidhet në sulm për Haalandin
Real Madrid po e monitoron me kujdes situatën në Angli, ku mund të krijohet një mundësi e madhe për transferimin e Erling Haalandit.
Klubi madrilen vazhdon të jetë i interesuar për sulmuesin norvegjez të Manchester Cityt dhe po pret të shohë nëse do të hapet rruga për një marrëveshje të bujshme.
Sipas raportimeve të mediave, Real Madrid ka një marrëdhënie shumë të mirë me familjen e Haalandit dhe përfaqësuesit e tij.
Kontakti mes palëve ka vazhduar prej vitesh, duke dëshmuar se interesi i gjigantit spanjoll për sulmuesin nuk është i ri.
Në Madrid po i përcjellin nga afër zhvillimet rreth së ardhmes së Haalandit në Premier League, si dhe çdo ndryshim të mundshëm në marrëdhënien e tij kontraktuale me Manchester Cityn.
Problemet e Cityt mund ta hapin rrugën
Manchester City po përballet me presion ligjor dhe sportiv lidhur me çështjen e shkeljeve të pretenduara të rregullave financiare të Premier Leagues. Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen e klubit dhe mund të ndikojë në planet e tij afatgjata.
Real Madridi po e vëzhgon situatën, duke pritur të shohë nëse zhvillimet e ardhshme mund të krijojnë kushte për të tentuar transferimin e norvegjezit.
Haalandi do të ishte një përforcim i jashtëzakonshëm për repartin ofensiv të madrilenëve. Shifrat e tij të jashtëzakonshme të golave e bëjnë atë një prej sulmuesve më të kërkuar në futbollin botëror.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Real Madrid do ta shndërrojë interesimin e kahershëm në një ofertë konkrete.
Për momentin, nuk ka konfirmim për negociata zyrtare apo një marrëveshje të mundshme. Gjithçka do të varet nga zhvillimet te Manchester City dhe nga mundësia që mund të krijohet për transferimin e yllit norvegjez në Santiago Bernabeu.
Një lëvizje e tillë do të ishte ndër transferimet më të bujshme të futbollit evropian, por për momentin mbetet një skenar që varet nga shumë faktorë. /Zëri