Legjenda e Al Nassr e kryqëzon Ronaldon: “Niveli yt është i frikshëm, duhet të ndalesh”
Cristiano Ronaldo është vënë në qendër të kritikave në Arabinë Saudite. Fahad Al Hurifi, ish-futbollist dhe legjendë e Al Nassr, ka dhënë një vlerësim të ashpër për paraqitjet e fundit të portugezit, duke i sugjeruar madje që të largohet nga futbolli.
Kritikat erdhën pas fitores 1-0 të Al Nassr ndaj Neom SC, ndeshje në të cilën Ronaldo nuk arriti të linte gjurmë dhe humbi një penallti në fundin e pjesës së parë.
“Nuk mund ta mbash më topin”
Al Hurifi, duke komentuar paraqitjen e portugezit në emisionin “Dawrina Gheir”, u shpreh se Ronaldo po përballet me vështirësi për shkak të rënies fizike.
“Cristiano Ronaldo ka arritur në një nivel futbollistik të frikshëm. Kjo është situata e lojtarëve që mbështeteshin më shumë te energjia, forca dhe lëvizja sesa te aftësia teknike. Me kalimin e moshës, ata nuk mund ta mbajnë topin dhe ta kontrollojnë si më parë”, deklaroi ai.
“Duhet të ndalesh”
Ish-futbollisti vazhdoi me kritikat, duke pretenduar se edhe bashkëlojtarët e Ronaldos po përpiqen t’i shmangin situatat që mund ta nxjerrin në pah rënien e tij.
“Kur lojtari kryesor i ekipit, organizatori dhe motori i skuadrës nuk dëshiron të ta pasojë topin, që të mos të vërë në vështirësi, dhe kërkon zgjidhjen më të lehtë për ty, atëherë duhet ta kuptosh se niveli yt futbollistik është i frikshëm dhe se duhet të ndalesh”, përfundoi Al Hurifi.
Ronaldo ka zhvilluar 10 ndeshje me Al Nassr në fillim të këtij sezoni, duke shënuar pesë gola, sipas të dhënave të raportuara nga mediat spanjolle.
Deklaratat kanë rikthyer debatet për formën e portugezit, i cili vazhdon të jetë një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. /Zëri