Racizëm ndaj Mike Maignan pas kartonit të kuq, reagon ashpër Milani: Jemi plotësisht në krah të portierit tonë

Racizëm ndaj Mike Maignan pas kartonit të kuq, reagon ashpër Milani: Jemi plotësisht në krah të portierit tonë

Sport October 23, 2026 - 23:44

Milani ka dalë në mbrojtje të portierit Mike Maignan, pasi francezi është bërë objekt i fyerjeve raciste në rrjetet sociale pas ndeshjes ndaj Bournemouth.

Klubi italian e ka dënuar ashpër këtë sjellje, duke theksuar se racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në futboll, pavarësisht rezultateve apo ngjarjeve në fushë.

Portieri i kuqezinjve u përball me komente raciste pas kartonit të kuq të marrë në humbjen 3-0 ndaj Bournemouth në Angli.

Maignan u ndëshkua drejtpërdrejt me karton të kuq pas një kontakti me një kundërshtar, të cilit ia vendosi duart në fytyrë.

Pas episodit, francezi dha edhe versionin e tij përmes Instagramit, duke e përshkruar veprimin si një përpjekje për të fituar hapësirë.

Megjithatë, situata në fushë u pasua nga sulme të papranueshme ndaj tij në rrjetet sociale.

Përmes një deklarate zyrtare, klubi kuqezi dënoi gjuhën raciste të drejtuar ndaj portierit dhe shprehu mbështetjen e plotë për të.

“Pas ndeshjes së djeshme kundër Bournemouth, Mike Maignan ishte shënjestër e abuzimit serioz dhe të papranueshëm racist në mediat sociale. AC Milan dënon me forcë të gjitha format e racizmit dhe diskriminimit, sjellje të papranueshme që nuk kanë vend as në fushë dhe as jashtë saj”, thuhet në reagimin e klubit.

Milani theksoi se Maignan ka mbështetjen e plotë të familjes kuqezi dhe se lufta kundër diskriminimit mbetet pjesë e vlerave që përfaqëson klubi.

Në pjesën tjetër të deklaratës, drejtuesit e Milanit u bënë thirrje tifozëve dhe komunitetit të futbollit italian që të mos lejojnë që zemërimi për rezultatet sportive të kthehet në sulme personale apo raciste.

Klubi nënvizoi se respekti, përfshirja dhe barazia duhet të mbeten parime themelore të futbollit, edhe në momentet më të vështira.

“Ne duhet të mbetemi të bashkuar, si tifozë të AC Milan dhe si pjesë e futbollit italian. E vetmja mënyrë për ta rikthyer futbollin italian aty ku meriton të jetë është të qëndrojmë së bashku dhe të japim më të mirën tonë, si individualisht ashtu edhe kolektivisht”, thuhet në deklaratë.

Në përfundim, Milani kujtoi se dëshira për të fituar nuk duhet të vijë kurrë në kurriz të dinjitetit dhe respektit të ndërsjellë.

“Ne të gjithë duam të fitojmë, por duhet ta bëjmë në mënyrën e duhur, me dinjitet, respekt të ndërsjellë dhe klas”, përfundon reagimi i klubit italian.