Kush i zgjedh fituesit e Topit të Artë? Ja si funksionon votimi për secilin çmim

Kush i zgjedh fituesit e Topit të Artë? Ja si funksionon votimi për secilin çmim

Sport October 25, 2026 - 09:42

Jo të gjitha çmimet e Topit të Artë vendosen nga i njëjti sistem votimi.

Gazetarët kanë rolin kryesor në kategoritë më të rëndësishme, ndërsa për çmimet e tjera vlejnë procedura të veçanta.

Ceremonia e Topit të Artë 2026 do të mbahet të hënën në Londër, më 26 tetor, por si përcaktohen në të vërtetë fituesit e çmimeve më prestigjioze të futbollit?

Sipas Mundo Deportivo, procesi ndryshon në varësi të kategorisë.

Për çmimet kryesore votojnë gazetarë të specializuar, ndërsa disa trofe përcaktohen nga fituesit e mëparshëm ose nga statistikat e golave.

100 gazetarë vendosin për Topin e Artë për meshkuj

Fituesi i Topit të Artë për meshkuj përcaktohet nga një juri prej 100 gazetarësh, ku secili përfaqëson një nga 100 shtetet më të renditura në klasifikimin përkatës të FIFA-s.

Për kategorinë e femrave, juria përbëhet nga 50 gazetarë, që përfaqësojnë 50 shtetet e para në të njëjtin renditje.

Çdo gazetar përzgjedh dhjetë kandidatë dhe u jep pikë sipas renditjes: 15, 12, 10, 8, 7, 5, 4, 3, 2 dhe 1. Futbollisti ose futbollistja që grumbullon më shumë pikë shpallet fitues.

I njëjti sistem edhe për çmimet e portierëve, trajnerëve dhe klubeve

Të njëjtat juri votojnë edhe për çmimet Yashin, që nderojnë portierët më të mirë, për trofetë Johan Cruyff, që u jepen trajnerëve më të mirë, si dhe për çmimet e klubit të vitit.

Juria e meshkujve voton për kategoritë përkatëse të meshkujve, ndërsa juria e femrave vendos për kategoritë e femrave.

Trofeu Kopa ka një procedurë tjetër

Çmimi për talentin e ri të vitit, i njohur më parë si Trofeu Kopa, funksionon ndryshe.

Në kategorinë e meshkujve, fituesit e mëparshëm të Topit të Artë zgjedhin futbollistin e ri më të mirë.

Te femrat, votimi bëhet nga një juri e posaçme, ku përfshihen fitues të mëparshëm të Topit të Artë, futbolliste që kanë përfunduar në podiumin e çmimit që nga krijimi i tij në vitin 2018 dhe një kryeredaktor i France Football.

Çmimi Gerd Müller përcaktohet nga golat

Ndryshe nga kategoritë e tjera, çmimet Gerd Müller për golashënuesit më të mirë nuk varen nga votimi. Fituesit përcaktohen nga numri i golave të shënuar gjatë periudhës së referencës.

Ndërkohë, Çmimi Sócrates, që vlerëson angazhimin shoqëror dhe iniciativat humanitare, vendoset nga një komitet i lidhur me France Football, L’Équipe dhe organizatën Peace and Sport.

Kështu, edhe pse të gjitha këto çmime prezantohen në të njëjtën ceremoni, mënyra e përzgjedhjes së fituesve ndryshon ndjeshëm nga një kategori në tjetrën. /Zëri