Përmbysje në garën për Topin e Artë, Mbappe i afrohet Kane
Gara për Topin e Artë ka marrë një kthesë të papritur në orët e fundit. Kylian Mbappe po e ngushton ndjeshëm diferencën me Harry Kane, ndërsa Lamine Yamal po humb terren në parashikimet e kompanive të basteve.
Harry Kane dukej favorit i padiskutueshëm për ta fituar çmimin prestigjioz, por situata ka ndryshuar ndjeshëm para ceremonisë së këtij viti, e cila mbahet të hënën në Londër.
Sipas të dhënave të publikuara nga Goal, kuotat e Mbappes kanë rënë ndjeshëm, duke e shndërruar yllin e Real Madridit në rivalin kryesor të sulmuesit të Bayern Munichut.
Një ditë më parë, Kane kishte kuotën mesatare 1.33, ndërsa tani ajo është rritur në 1.70. Në anën tjetër, kuota e Mbappes ka rënë nga 5.00 në 2.30, duke reflektuar rritjen e pritshmërive për francezin.
Ndërkohë, Lamine Yamal po largohet nga dy favoritët kryesorë. Kuota e talentit të Barcelonës është rritur nga 6.00 në 8.50.
Kane, Mbappe dhe Yamal pritet të jenë në mesin e emrave më të përfolur gjatë ceremonisë së Topit të Artë.
Megjithatë, këto ndryshime lidhen me parashikimet e kompanive të basteve dhe nuk nënkuptojnë se votimi ka ndryshuar. Fituesi përcaktohet nga votat e jurisë ndërkombëtare të gazetarëve. /Zëri