Harry Kane e ka një ëndërr të pazakontë: Pas futbollit, dëshiron të luajë në NFL

Harry Kane e ka një ëndërr të pazakontë: Pas futbollit, dëshiron të luajë në NFL

Sport October 26, 2026 - 19:08

Harry Kane është një nga favoritët kryesorë për ta fituar Topin e Artë 2026, por sulmuesi anglez ka edhe një ëndërr të veçantë që nuk lidhet me futbollin.

Ylli i Bayern Munichut, së bashku me Kylian Mbappen dhe Lamine Yamalin, është në garë për çmimin prestigjioz, pas një sezoni të jashtëzakonshëm, në të cilin realizoi 61 gola në 51 ndeshje me Bayernin, ndërsa në total shënoi 73 gola për klubin dhe kombëtaren angleze.

Megjithatë, pas karrierës së tij të shkëlqyer fshihet një pasion i madh për futbollin amerikan. Kane është admirues i legjendës së NFL-së, Tom Brady, dhe madje njërin prej dy qenve të tij e ka pagëzuar me emrin Brady.

Ëndrra e anglezit është të bëhet lojtar në NFL, pas përfundimit të karrierës në futboll.

Ai e ka marrë seriozisht këtë mundësi dhe ka zbuluar se do të ishte i gatshëm të stërvitej për gjashtë muaj deri në një vit, përpara se të provonte veten si goditës (kicker) në ligën më të madhe të futbollit amerikan.

Kane, i cili u refuzua nga akademia e Arsenalit kur ishte vetëm tetë vjeç, nuk u dorëzua dhe vazhdoi rrugëtimin deri në majat e futbollit botëror.

Tani, përveç ëndrrës për ta fituar Topin e Artë, kapiteni i Anglisë mban në mendje edhe një sfidë krejtësisht tjetër për të ardhmen. /Zëri