“Sfida e radhës po vjen” - Shkëndija synon fitoren e radhës, lideri udhëton drejt Shtipit
Shkëndija e Tetovës po i vazhdon përgatitjet për sfidën e radhës në kampionat, ku këtë të diel do të përballet me Bregallnicën në Shtip.
Kuqezinjtë synojnë të vazhdojnë me rezultate pozitive dhe ta mbrojnë pozitën e liderit, duke i kërkuar tri pikët e radhës edhe në këtë transfertë.
Kampionët nga Tetova po hyjnë në këtë përballje me objektiva të qarta, për ta konfirmuar formën e mirë dhe për ta vazhduar rrugëtimin në krye të tabelës.
Përballë Bregallnicës, Shkëndijën e pret një sfidë që kërkon përqendrim, angazhim dhe disiplinë gjatë të gjitha minutave të lojës.
“Sfida e radhës po vjen”, shkroi klubi nga Tetova në rrjetet sociale, duke postuar edhe fotografi të stërvitjes së ekipit.
Skuadra tetovare synon ta tregojë edhe një herë forcën e saj, duke kërkuar ta imponojë ritmin e lojës dhe të shfrytëzojë mundësitë për të dalë me rezultat pozitiv nga Shtipi.
Objektivi është i qartë: vazhdimi i serisë së rezultateve të mira dhe ruajtja e kreut të klasifikimit.
Për Shkëndijën çdo ndeshje në këtë fazë të kampionatit ka rëndësi të veçantë, ndaj kuqezinjtë do të kërkojnë të jenë në nivelin e duhur për të arritur synimin e tyre. /Zëri