Dyshime për rrjedhje të informacioneve në “Topin e Artë”, nisin hetimet për bastet e dyshimta

Dyshime për rrjedhje të informacioneve në “Topin e Artë”, nisin hetimet për bastet e dyshimta

Sport November 02, 2026 - 17:06

“Topi i Artë” i vitit 2026 është përfshirë në një polemikë të madhe, vetëm pak ditë pas ceremonisë ku Harry Kane u shpall fitues.

France Football ka nisur një hetim pas disa basteve të dyshimta në platformën Polymarket, ku 12 llogari kishin parashikuar me saktësi renditjen e pesë futbollistëve të parë. Bëhet fjalë për mbi 264 mijë dollarë të vendosur në baste, të cilat sollën fitime prej afro 200 mijë dollarësh.

Përveç triumfit të Kane, llogaritë kishin parashikuar saktësisht edhe renditjen e Kylian Mbappes në vendin e dytë, Lamine Yamalit në të tretin, Rodrit në të katërtin dhe Lionel Messit në të pestin.

Ajo që ka ngritur dyshimet është fakti se shtatë prej këtyre llogarive nuk kishin vendosur më parë baste në tregje të tjera, ndërsa gjashtë prej tyre kishin bërë bastin e parë vetëm 15 minuta pas krijimit të llogarisë.

Sipas raportimeve të “The Guardian”, France Football ka nisur hetimet e brendshme dhe ka njoftuar edhe policinë për të zbardhur nëse ka pasur rrjedhje të informacioneve konfidenciale para ceremonisë.

Një hetim i realizuar nga mediumi francez Upside ka arritur të gjurmojë disa transaksione të kriptovalutave dhe të identifikojë personin që qëndron pas njërës prej llogarive. Megjithatë, identiteti i tij nuk është bërë publik.

Deri më tani nuk ka prova përfundimtare për ndonjë shkelje, por dyshimet për rrjedhje të rezultateve kanë vënë në pikëpyetje sigurinë dhe transparencën e ndarjes së një prej çmimeve më prestigjioze në futboll. /Zëri