Owen nuk i harron lotët pas vendimit për Real Madridin: Çfarë po lë pas?

Owen nuk i harron lotët pas vendimit për Real Madridin: Çfarë po lë pas?

Sport November 03, 2026 - 08:14

Michael Owen ka rrëfyer një nga momentet më emocionale të karrierës së tij, kur vendosi të largohej nga Liverpooli për të nënshkruar me Real Madridin në verën e vitit 2004.

Ish-sulmuesi anglez, i cili atëkohë ishte një yll te Liverpooli, pranoi se transferimi te gjiganti spanjoll nuk ishte një vendim i lehtë. Madje, fillimisht nuk e kishte menduar aspak largimin nga skuadra angleze.

Gjatë një turneu në SHBA, agjenti i tij e kontaktoi për interesimin e Real Madridit. Jamie Carragher, i cili ndodhej me të në dhomë, e këshilloi të mos pranonte, duke i thënë se me Raulin, Ronaldon dhe Fernando Morientesin në skuadër, mundësitë për të luajtur do të ishin të pakta.

Owen megjithatë vendosi të firmoste, por emocionet e kapluan menjëherë pas këtij vendimi.

“Kur nënshkruan diçka dhe mendon se nuk ka më kthim prapa, të vjen në mendje: Zot, çfarë bëra? Mbaj mend që qava shumë gjatë rrugës për në aeroport, duke menduar se çfarë po lija pas”, tregoi ai.

Owen kaloi vetëm një sezon te Real Madridi, pasi nuk arriti të përshtatej me skuadrën dhe qytetin. Në fund, u shit te Newcastle për 24 milionë euro. /Zëri