LaLiga mund të ndalet pas vdekjes së Jesus de Miguelit, vendimi pritet së shpejti

LaLiga mund të ndalet pas vdekjes së Jesus de Miguelit, vendimi pritet së shpejti

Sport November 04, 2026 - 12:18

Futbolli spanjoll mund të përjetojë një tjetër ndërprerje pas tragjedisë që tronditi Tenerifen dhe gjithë komunitetin e futbollit.

LaLiga po shqyrton seriozisht mundësinë e shtyrjes së xhiros së ardhshme në Primera dhe Segunda Division, pas vdekjes së Jesus de Miguelit.

Sipas Tuttomercatoweb, drejtuesit e LaLigës kanë zhvilluar takime për këtë çështje, ndërsa vendimi pritet t'u komunikohet zyrtarisht klubeve së shpejti.

Në tavolinë është mundësia e shtyrjes së xhiros së 12-të në elitën e futbollit spanjoll dhe xhiros së 13-të në kategorinë e dytë.

Kjo do të ishte një masë e jashtëzakonshme, e ndërmarrë pas humbjes së sulmuesit 30-vjeçar, i cili ndërroi jetë pas dëmtimit të rëndë në ndeshjen Tenerife – Andorra.

Megjithatë, përveç aspektit emocional, ekzistojnë edhe pengesa organizative dhe financiare.

Marrëveshjet me televizionet dhe sponsorët, penalizimet e mundshme kontraktuale dhe kalendari i ngjeshur janë faktorë që duhet të merren parasysh përpara vendimit përfundimtar.

Ndërkohë, Shoqata e Futbollistëve Spanjollë ka kërkuar që aktivitetet futbollistike të ndërpriten deri më 9 nëntor.

Tashmë pritet të shihet nëse LaLiga do ta pranojë kërkesën dhe do ta ndalë përkohësisht kampionatin në të dy kategoritë. /Zëri