Rikthim historik, Milani do t’i bashkohet sërish Adidasit nga viti 2028 për 500 milionë euro
Milani dhe Adidasi do të bashkojnë sërish rrugët, pas dhjetë vjetësh ndarje.
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, gjiganti italian ka arritur marrëveshje me kompaninë gjermane për një kontratë dhjetëvjeçare, e cila do të nisë në verën e vitit 2028.
Marrëveshja kap vlerën e jashtëzakonshme prej 500 milionë eurosh, që do të thotë se klubi kuqezi do të përfitojë rreth 50 milionë euro në sezon.
Kjo do të jetë marrëveshja më e madhe e këtij lloji në historinë e futbollit italian. Kështu përfundon bashkëpunimi me Pumën, që kishte nisur në vitin 2018.
Fillimisht, Milani përfitonte rreth 14 milionë euro në sezon, ndërsa pas rinovimit të vitit 2022 shifra u rrit në afërsisht 30 milionë euro.
Rikthimi te Adidasi ka edhe një domethënie të veçantë për tifozët e Milanit.
Kompania gjermane ishte pjesë e historisë së lavdishme të klubit nga viti 1998 deri në vitin 2018, periudhë gjatë së cilës kuqezinjtë fituan dy trofe të Ligës së Kampionëve, në vitet 2003 dhe 2007, nën drejtimin e Carlo Ancelottit. /Zëri