Owono e thyen heshtjen pas tragjedisë: “Këto janë ditët më të vështira të jetës sime”
Portieri i FC Andorrës, Jesús Owono, ka reaguar për herë të parë pas tragjedisë së rëndë që tronditi futbollin spanjoll, ku sulmuesi i Tenerifes, Jesús de Miguel, humbi jetën pas përplasjes me të gjatë ndeshjes së së hënës.
Përmes një deklarate të publikuar nga klubi i tij, portieri 25-vjeçar nga Guinea Ekuatoriale ka shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e futbollistit 30-vjeçar, duke pranuar se po kalon momentet më të vështira të jetës së tij.
“Këto janë ditët më të vështira të jetës sime. E kam të vështirë t’i gjej fjalët dhe ta përpunoj gjithë atë që ka ndodhur. Ndjej një dhimbje të jashtëzakonshme për humbjen e Jesúsit. Mendoj për të, familjen e tij dhe të gjithë njerëzit që e kanë dashur”, ka shkruar Owono.
Portieri ka shtuar se është i vetëdijshëm se do të ketë shumë çështje për t’u trajtuar lidhur me ngjarjen, por ka theksuar se për momentin mendimet e tij janë vetëm te futbollisti i ndjerë dhe dhimbja e familjarëve të tij.
“E di se do të ketë shumë çështje për t’u trajtuar dhe do të përballem me gjithçka që vjen me respektin më të madh. Por tani, sinqerisht, nuk mund të mendoj për asgjë tjetër përveç Jesúsit dhe dhimbjes që po përjetojmë. Pusho në paqe, Jesús”, përfundoi ai. /Zëri