Manaj shënon sërish në Turqi, por Sivasspori vazhdon krizën e rezultateve

Manaj shënon sërish në Turqi, por Sivasspori vazhdon krizën e rezultateve

Sport November 07, 2026 - 19:34

Rey Manaj po vazhdon të shkëlqejë në aspektin individual në futbollin turk, pasi ka shënuar golin e tij të dhjetë këtë edicion në kategorinë e dytë të futbollit të Turqisë.

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë realizoi golin e vetëm të Sivassporit në humbjen 3-1 në udhëtim ndaj Vansporit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të kampionatit.

Manaj e gjeti rrugën drejt rrjetës në minutën e 85-të, por goli i tij nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen e skuadrës mysafire.

29-vjeçari e kompletoi të gjithë ndeshjen, ndërsa bashkëlojtari i tij, Valon Ethemi, qëndroi në fushë deri në minutën e 68-të. Në anën tjetër, te Vanspori mungoi për shkak të lëndimit futbollisti tjetër shqiptar, Jurgen Bardhi.

Me golin e fundit, Manaj shkon në kuotën e dhjetë realizimeve këtë sezon, ndërsa ka kontribuar edhe me dy asistime, duke qenë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të Sivassporit në repartin ofensiv.

Megjithatë, përkundër formës së mirë individuale të sulmuesit shqiptar, Sivasspori po kalon një periudhë të vështirë. Pas 14 javësh, skuadra ka vetëm 13 pikë dhe renditet në pjesën e poshtme të tabelës.

Kështu, Manaj po vazhdon të bëjë diferencën me golat e tij, por Sivasspori ka ende shumë punë për të bërë për t'u larguar nga zona e vështirë e klasifikimit. /telegrafi