Bora merr fitore të rëndësishme ndaj Vëllaznimit dhe vazhdon ndjekjen e kreut

Bora merr fitore të rëndësishme ndaj Vëllaznimit dhe vazhdon ndjekjen e kreut

Sport November 07, 2026 - 19:47

Bora ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, duke triumfuar me rezultat 79:72 në një ndeshje mjaft të luftuar, në kuadër të xhiros së tetë.

Skuadra prishtinase e siguroi fitoren pas një përballjeje të baraspeshuar, ku vendasit e fituan çerekun e parë me rezultat 20:18. Bora reagoi në periudhën e dytë, duke marrë epërsinë para pushimit mes pjesëve.

Rivaliteti vazhdoi edhe në pjesën e dytë, me mysafirët që fituan çerekun e tretë me rezultat 18:16. Vendimi përfundimtar erdhi në dy minutat e fundit, kur Bora arriti të krijonte shkëputjen e nevojshme për ta mbyllur ndeshjen me fitore 79:72.

Një ndikim në rrjedhën e takimit pati edhe dalja nga loja e disa prej lojtarëve të pesëshes startuese të Vëllaznimit, pasi ata grumbulluan nga pesë gabime personale.

Rezart Mehmedi ishte më efikasi te Bora me 20 pikë, ndërsa Laolu Oke kontribuoi me 16 dhe Amin Hot me 11 pikë.

Në anën tjetër, te Vëllaznimi u dalluan Kentrell Pullian me 24 pikë dhe Ricky Tarrant me 19.

Pas tetë xhirove, Bora renditet në pozitën e dytë me gjashtë fitore dhe dy humbje, ndërsa Vëllaznimi ka vetëm një fitore dhe shtatë humbje.

Në xhiron e ardhshme, Bora do të jetë nikoqire e Yllit, kurse Vëllaznimi do të përballet në udhëtim me Prishtinën.