Bayerni përgatitet për epokën pas Neuerit, legjenda pritet të pensionohet në fund të sezonit
Manuel Neuer mund të jetë duke i zhvilluar muajt e fundit të karrierës së tij si futbollist profesionist.
Portieri i Bayern Munichut pritet të pensionohet në fund të sezonit aktual, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm në futbollin gjerman dhe atë evropian.
Sipas “Bild”, 40-vjeçari dëshiron fillimisht të rikuperohet nga lëndimi dhe të rikthehet në fushë për ta përfunduar sezonin me fanellën e Bayernit.
Pra, pavarësisht problemeve fizike, synimi i tij është të mos largohet para kohe, por ta mbyllë karrierën në mënyrën e duhur.
Në anën tjetër, Bayerni nuk dëshiron të kapet i papërgatitur nga largimi i kapitenit.
Drejtuesit kanë nisur të mendojnë për pasuesin e tij, pasi zëvendësimi i një portieri me peshën dhe ndikimin e Neuerit paraqet një sfidë të madhe.
I ardhur në Munich në vitin 2011, Neuer u bë një simbol i Bayernit dhe një prej portierëve më revolucionarë të futbollit modern. Pas më shumë se 15 vjetësh suksese, gjithçka po shkon drejt fundit të një epoke te gjiganti gjerman. /Zëri