Materazzi për goditjen e Zidanes: Po sikur pasojat të kishin qenë fatale?
Vdekja e futbollistit Jesus de Miguel ka bërë që Marco Materazzi të rikthehet te episodi i vitit 2006, kur Zinedine Zidane e goditi me kokë në gjoks gjatë finales së Botërorit mes Italisë dhe Francës.
Ish-mbrojtësi italian ka pranuar se tragjedia në futbollin spanjoll e ka bërë të mendojë se sa të rënda mund të kishin qenë pasojat e asaj goditjeje.
“Vdekja e Jesus de Miguel më bëri ta falënderoj Zotin që nuk ndodhi asgjë. Për atë portier flitet për vrasje nga pakujdesia pas një aksioni të lojës. Po sikur të më kishte ndodhur mua?”, u shpreh Materazzi për “La Gazzetta dello Sport”.
De Miguel, futbollist i Tenerifes, vdiq në moshën 30-vjeçare, pasi pësoi një goditje të fortë në përplasjen me portierin Jesus Owono në ndeshjen kundër Andorrës.
Ngjarja ka tronditur futbollin spanjoll dhe ka rikthyer diskutimet për rreziqet dhe pasojat e aksioneve në fushë.
I pyetur edhe për raportin me Zidane, Materazzi tregoi se në nëntor të vitit 2010 kishte tentuar të pajtohej me të në një takim rastësor në Milano.
Ai pretendon se francezi e kishte pranuar përshëndetjen dhe i kishte thënë se gjithçka i përkiste së kaluarës, por më vonë kishte mohuar se kishte ndodhur ky takim. /Zëri