SHBA-ja ëndërron Pep Guardiolën, katalonjasi kandidat për postin e përzgjedhësit

SHBA-ja ëndërron Pep Guardiolën, katalonjasi kandidat për postin e përzgjedhësit

Sport November 12, 2026 - 15:20

Federata e Futbollit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po mendon për një emër të madh për stolin e kombëtares, Pep Guardiola.

Mundësia e largimit të Mauricio Pochettinos drejt Manchester Unitedit ka hapur rrugën për një ndryshim të mundshëm, ndërsa trajneri katalonjas shihet si kandidati i preferuar.

Sipas raportimeve të gazetarit Tom Bogert, emri i Guardiolës është diskutuar në disa nivele të federatës amerikane.

Madje, drejtuesit kishin kontaktuar me të edhe në vitin 2024, gjatë kërkimit të një përzgjedhësi të ri, përpara se të vendosnin për Pochettinon.

Ish-trajneri i Barcelonës, Bayernit dhe Manchester Cityt është pa angazhim që nga maji i këtij viti.

Ai ka shprehur disa herë dëshirën për të drejtuar një kombëtare, por deri më tani ka refuzuar oferta nga Brazili, Italia dhe Anglia.

Tashmë SHBA-ja mund t'i ofrojë një mundësi të re, por vendimi përfundimtar i takon Guardiolës.

Federata amerikane pritet të nisë me një telefonatë për të kuptuar nëse tekniku 55-vjeçar është i gatshëm ta ndërpresë pushimin dhe të marrë një sfidë të re. /Zëri