Rice: E dinim se do ta mposhtnim Spanjën, kjo fitore është madhështore
Mesfushori i Anglisë, Declan Rice, ka vlerësuar paraqitjen e jashtëzakonshme të skuadrës së tij në fitoren 3:2 ndaj Spanjës në Madrid, në Ligën e Kombeve.
Anglia arriti t’i japë fund serisë prej 43 ndeshjesh pa humbje të kampionëve të botës, madje duke luajtur me një futbollist më pak për rreth gjysmë ore.
Skuadra e Thomas Tuchel kaloi në epërsi me golin e Harry Kane nga penalltia, ndërsa Ezri Konsa dhe Ben White shënuan në pjesën e dytë për ta çuar rezultatin në 3:0.
Megjithatë, përjashtimi i Elliot Andersonit pas ndërhyrjes ndaj Lamine Yamalit e ndryshoi rrjedhën e ndeshjes.
Spanja shënoi dy herë përmes Mikel Oyarzabalit dhe Nico Williamsit, por Anglia arriti ta ruante epërsinë.
“Ne e dinim se do ta fitonim këtë ndeshje. Mesazhi i trajnerit pas ndeshjes me Kroacinë ka qenë shumë pozitiv. Dhjetë minutat e para ishin më të mirat që kemi luajtur. Të fitosh 3:2 me dhjetë lojtarë për gjysmë ore ndaj një skuadre që nuk kishte humbur në 43 ndeshje është diçka madhështore”, deklaroi Rice.
Ai vlerësoi gjithashtu portierin James Trafford, i cili bëri disa pritje vendimtare në minutat e fundit, përfshirë një pritje të dyfishtë spektakolare.
Me këtë fitore, Anglia përfundoi në vendin e parë në Grupin A3 dhe siguroi statusin e skuadrës së favorizuar për shortin e çerekfinaleve. /Zëri