Zhegrova rikthehet në stërvitje të plotë me Juventusin, gati për ndeshjen ndaj Venezias

Zhegrova rikthehet në stërvitje të plotë me Juventusin, gati për ndeshjen ndaj Venezias

Sport November 18, 2026 - 17:10

Edon Zhegrova ka marrë pjesë në të gjithë seancën stërvitore të Juventusit, duke dhënë sinjale pozitive për trajnerin Luciano Spalletti në prag të ndeshjes së radhës në kampionat ndaj Venezias.

Sipas raportimit të mediumit italian “Tuttosport”, futbollisti kosovar është stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të skuadrës dhe nuk ka shfaqur probleme të veçanta fizike.

Ky është një lajm i mirë për Juventusin, që po përgatitet për rikthimin në garat e kampionatit pas pauzës për ndeshjet e përfaqësueseve. Skuadra torineze do të përballet me Venezian të dielën, më 22 nëntor.

Zhegrova kishte lëshuar kampin e Kosovës para kohës, me ankesa në dhimbje muskolore, duke munguar në ndeshje ndaj Irlandës ku Dardanët pësuan humbje me rezultat 3-0.

Ndërkohë, katër futbollistë të tjerë vazhdojnë të ndjekin programe të veçanta stërvitore. Bëhet fjalë për Andrea Cambiason, Zeki Celikun, Pierre Kalulun dhe Nico Gonzalezin, të cilët po punojnë individualisht për t'u rikthyer në gjendjen optimale.

Sipas “Tuttosport”, stafi teknik dhe ai mjekësor po i përcjellin nga afër gjendjet e tyre, ndërsa Spalletti do të vlerësojë në ditët në vijim se cilët futbollistë do t'i ketë në dispozicion për sfidën e së dielës.

Për Zhegrovën, pjesëmarrja e plotë në stërvitje përbën një sinjal pozitiv, pasi kosovari synon të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e ardhshme të Juventusit ndaj Venezias. /telegrafi