Arrestohet ish-futbollistja braziliane, dyshohet për trafik droge dhe pastrim parash
Një skandal ka tronditur futbollin brazilian. Ish-futbollistja e Kombëtares së Brazilit, Gabi Morais, 32-vjeçare, është arrestuar në Fortaleza, nën dyshimet për lidhje me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave për organizatën kriminale Comando Vermelho.
Sipas hetimeve të policisë, Morais dyshohet se ka përdorur një lokal të quajtur “Adega Revoada GM”, në lagjen Lagamar, për të fshehur të ardhurat nga aktivitetet kriminale.
Në këtë lokal organizoheshin rregullisht festa, të cilat dyshohet se shërbenin si mbulesë për pastrimin e parave.
Në të njëjtin operacion është arrestuar edhe vëllai i saj, João Paulo de Morais, i njohur si “JP Lagamar”, i cili dyshohet për rol drejtues në organizatën kriminale.
Hetimet kanë zgjatur rreth dy vjet, ndërsa autoritetet kanë ekzekutuar dhjetëra urdhër-arreste dhe kanë bllokuar pasuri me vlerë mbi 150 milionë realë brazilianë.
Gabi Morais ka luajtur për Corinthians dhe Internacional, si dhe për klube në Portugali e SHBA.
Me Corinthiansin fitoi kampionatin brazilian në vitin 2022 dhe disa trofe të tjerë në vitin 2023.
Ajo ende nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave. /Zëri