Presidenti Duka për Brajan Grudën: Në çdo kohë i jemi ofruar, por vendimi i tij ka qenë që ta përfaqësojë Gjermaninë
Brajan Gruda ishte një nga futbollistët me origjinë shqiptare që FSHF-ja ka tentuar të afrojë në Kombëtare, por sulmuesi ka preferuar të përfaqësojë Gjermaninë.
Brajan Gruda ishte një nga futbollistët me origjinë shqiptare që FSHF-ja ka tentuar të afrojë në Kombëtare, por sulmuesi ka zgjedhur të përfaqësojë Gjermaninë.
Në një intervistë për gazetarin Endi Tufa të Top Channel, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka zbuluar detaje për përpjekjet e Federatës për ta bindur lojtarin, duke theksuar se dëshira për ta pasur në radhët e kuqezinjve ka qenë e madhe.
Duka vlerëson cilësitë e futbollistit dhe kujton se Gruda ka spikatur prej kohësh me përfaqësueset e moshave të Gjermanisë, përfshirë edhe atë U21. Kreu i FSHF-së konfirmon se Shqipëria ka tentuar ta afrojë, por zgjedhja e tij ka qenë e qartë.
“Padyshim që duke qenë shqiptar me prindër shqiptarë, pavarësisht se i lindur në Gjermani, kemi pasur shumë dëshirë ta kemi në skuadër, kemi provëzuar, por zgjedhja e tij ka qenë, ka qenë Gjermania dhe tashmë ky është një kapitull i mbyllur. Ai është paraqitur me Gjermaninë dhe s’mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese në karrierën e tij sportive”, u shpreh Duka.
Presidenti i FSHF-së theksoi gjithashtu se interesimi për Grudën nuk ka qenë një reagim i momentit, pas paraqitjeve të tij të fundit, por një përpjekje që ka zgjatur në kohë. I pyetur nëse Federata e kishte kontaktuar lojtarin që më herët, Duka konfirmoi:
“Po, po, në çdo kohë i kemi ofruar, po vendimi i tij ka qenë që të përfaqësojë Gjermaninë”.
Kështu, pavarësisht dëshirës së FSHF-së për ta pasur në Kombëtare, kapitulli i Brajan Grudës me Shqipërinë është mbyllur.
Sulmuesi ka zgjedhur Gjermaninë, me të cilën ka përfaqësuar ekipet e moshave deri te U21.