BE-ja thirrje për zgjedhje të lira në Kosovë: Të shmangen ndërhyrjet dhe manipulimet para 7 qershorit
Foto: Laura Hasani

BE-ja thirrje për zgjedhje të lira në Kosovë: Të shmangen ndërhyrjet dhe manipulimet para 7 qershorit

Zgjedhjet 2026 May 28, 2026 - 13:47

Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha partive politike të sigurojnë zgjedhje paqësore dhe gjithëpërfshirëse.

Reagimi i BE-së vjen pas shqetësimeve për ndërhyrje nga Serbia në procesin zgjedhor në Kosovë, duke përfshirë arrestimin e disa shtetasve serbë nën dyshimet për cenim të vullnetit të lirë të votuesve, si dhe thirrjet e Beogradit zyrtar që serbët lokalë të votojnë për Listën Serbe, të cilën autoritetet serbe e kanë cilësuar si të vetmen që garanton “mbijetesën në Kosovë”.

Në një përgjigje për RTV21, BE-ja në Kosovë theksoi se të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, të lirë nga çdo ndërhyrje ose manipulim.

Po ashtu, BE-ja u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve dhe të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë mjedisin e favorshëm për zgjedhje.

“Përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 7 qershorit, u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të promovojnë dhe sigurojnë zhvillimin e zgjedhjeve paqësore dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë. Të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, të lirë nga ndërhyrjet dhe manipulimet. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të Kosovës të sigurojnë pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve dhe të shmangin çdo veprim që dëmton një mjedis të favorshëm për zgjedhjet. Po ndjekim nga afër seancën dëgjimore lidhur me arrestimin dhe ndalimin e shtatë serbëve të Kosovës për frikësim të dyshuar të votuesve. Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) në Kosovë po e shqyrton çështjen në terren. Ne mbështetemi te autoritetet e Kosovës që të respektojnë dhe të sigurojnë një proces të rregullt ligjor gjatë gjithë procedurave, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare. Kjo përfshin sigurimin që çdo ndalim të jetë i nevojshëm dhe proporcional”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Ditë më parë shtatë serbë u arrestuan në Graçanicë nën dyshimet për cenim të vullnetit të lirë të votuesve. Më pas, një numër qytetarësh protestuan para stacionit policor në mbështetje të të arrestuarve.

Të arrestuarit dyshohet se janë drejtorë të institucioneve arsimore dhe shëndetësore, të cilët, sipas raportimeve, kanë marrë vendim për shkarkimin nga puna të disa punonjësve serbë, vetëm pse nuk e kanë përkrahur Listën Serbe në zgjedhjet e 7 qershorit. Këto shqetësime janë ngritur më herët edhe nga ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, njëherësh kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.