Kurti premton se Gjakovës do t`i kthehet prodhimi industrial
Nga tubimi elektoral në Gjakovë, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, premtoi se për katër vitet e ardhshme prodhimi vendor do ta ketë shumë më të lehtë zhvillimin, pasi qeveria do të ndajë një fond i cili do të shërbejë si garanci për kompanitë prodhuese që duan të marrin kredi.
Kurti shtoi se ekonominë e Gjakovës do ta zhvillojë edhe hekurudha, e cila do të vazhdojë deri në Sarandë.
“Këtu do ta kemi edhe segmentin që e lidh Gjakovën me Shkodrën, në kuadër të hekurudhës Prishtinë-Durrës... këtu do ta kemi edhe thelbin e industrisë ushtarake...”, ka thënë kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
Para elektoratit në Gjakovë, Kurti po ashtu premtoi se shkollave të mesme profesionale, gjatë katër viteve të ardhshme, do t’u shtohen edhe 10 profile të reja.
“Deri më tash kemi pasur 16 profile në 17 komuna, gjithsej 2500 nxënës; do të shtojmë edhe 10 profile të reja, super puna”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se me rritjen e buxhetit këtë vit do të shqyrtohet edhe paga e 14-të për sektorin publik, si dhe do të mundësohet që edhe sektori privat të japë për punëtorët e vet pagën e 13-të.