Keqpërdorimi i fëmijëve në fushatë, Qelaj: Do ta analizojmë rastin në Vushtrri
Foto: Laura Hasani

Keqpërdorimi i fëmijëve në fushatë, Qelaj: Do ta analizojmë rastin në Vushtrri

Zgjedhjet 2026 June 01, 2026 - 14:45

Ushtruesi i detyrës së Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, e ka kritikuar veprimin e fundit të përdorimit të një vajze në fushatë zgjedhore.

Ky rast ka ndodhur një ditë më parë në Vushtrri, në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Për këtë rast, Qelaj ka thënë se ekspozimi i fëmijëve në fushatën zgjedhore është model i papërshtatshëm, duke bërë thirrje që një veprim i tillë të ndalet.

“Konsideroj se duhet secila parti politike dhe secili lider institucional dhe politik me pas kujdes në ekspozimin e fëmijëve nëpër fushata dhe tubime publike. Natyrisht ekzistojnë rregulla strikte të veprimeve të tilla.”, ka thënë Qelaj.

Ai ka thënë se do ta analizojnë si rast dhe do të ndalin me qëndrim zyrtar.

“Aga ajo që kemi parë është një model jo i përshtatshëm i ekspozimit të fëmijëve ne tubime politike. Çka është e rëndësishme është që fëmijët me u përfshirë ne vendimmarrje politike kur janë në pyetje interesat e tyre, por jo me u përmend si instrumente politike për qëllime elektorale dhe unë besoj se praktikat e tilla duhet të ndalen”, ka shtuar ai.

Qelaj ka thënë se qoftë prindërit apo kushdo tjetër duhet të ketë kujdes që asnjë fëmijë te mos ndihen të keqpërdorur në situata të tilla.