Qalaj viziton Dhomën Operative për monitorimin e procesit zgjedhor

Qalaj viziton Dhomën Operative për monitorimin e procesit zgjedhor

Zgjedhjet 2026 June 07, 2026 - 13:25

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka vizituar të dielën Dhomën Operative për monitorimin e procesit zgjedhor në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjatë vizitës, Qalaj u prit nga koordinatorja nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, e cila e informoi për aktivitetet dhe angazhimet e kësaj strukture në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.

Sipas njoftimit të prokurorit të Shtetit, Qalaj ka parë nga afër punën e dhomës operative, e cila është e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në monitorimin e zhvillimeve që lidhen me procesin zgjedhor.

Ai ka falënderuar dhe inkurajuar stafin e angazhuar në këtë mekanizëm, duke theksuar rëndësinë e punës së tyre në ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve dhe trajtimin e çdo rasti që mund të cenojë procesin demokratik.

Në njoftim bëhet e ditur se në dhomën operative është i pranishëm edhe një zyrtar i EULEX, i cili po monitoron rastet penale që mund të paraqiten gjatë ditës së zgjedhjeve dhe që lidhen me procesin zgjedhor.