Përfundon procesi i numërimit dhe verifikimit të votave në 13 komuna
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike dhe numërimit të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).
Sipas të dhënave të publikuara, sot deri në orën 09:00, procesi i numërimit dhe verifikimit ka përfunduar në 13 komuna: Junik, Shtërpcë, Han i Elezit, Partesh, Mamushë, Zubin Potok, Zveçan, Kllokot, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Ekonominë Online se deri tani janë procesuar 1.379 nga gjithsej 2.498 vendvotime në nivel vendi, që përbën 55,20 për qind të numrit të përgjithshëm të vendvotimeve.
“Ndërkohë, procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 25 Qendra Komunale të Numërimit, duke përfshirë komunat me numrin më të madh të vendvotimeve si Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Gjakova, Peja, Gjilani dhe Podujeva”, tha Elezi.
Sipas tij, pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, rezultatet transmetohen në platformën zyrtare të rezultateve, duke mundësuar publikimin e tyre në kohë reale.
Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i formularëve të rezultateve po zhvillohet në kuadër të administrimit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026.