KQZ-ja ka aprovuar mbi 22 mijë pako me fletëvotime nga diaspora, refuzohen 755 të tjera
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja ka aprovuar mbi 22 mijë pako me fletëvotime nga diaspora, refuzohen 755 të tjera

Zgjedhjet 2026 June 11, 2026 - 10:53

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës.

Sipas KQZ-së, deri në përfundim të ditës së mërkurë, më 10 qershor 2026, janë shqyrtuar më shumë se 23 mijë e 300 pako, prej të cilave 22,601 janë aprovuar, ndërsa 755 janë refuzuar.

Arsyeja kryesore e refuzimit të pakove ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike dhe që u dërgohet votuesve të regjistruar për votim përmes postës. Sipas të dhënave të KQZ-së, në 699 raste pakot janë refuzuar pikërisht për këtë arsye.

“Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor në orën 16:00 dhe, pas përfundimit të tij, KQZ-ja do të publikojë numrin përfundimtar të pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga gjithsej 23 kuti postare janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë për verifikim.

KQZ-ja ka bërë të ditur se gjatë periudhës së regjistrimit, nga 6 deri më 17 maj 2026, për votim përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës janë regjistruar 104,480 shtetas me të drejtë vote. /Zëri