Sot përfundon numërimi i votave me postë, nis i atyre me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta
Foto: Laura Hasani

Sot përfundon numërimi i votave me postë, nis i atyre me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta

Zgjedhjet 2026 June 17, 2026 - 08:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri sot në mesditë pritet të përfundojë numërimi i të gjitha fletëvotimeve të ardhura nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se shtatë kutitë e mbetura pritet të fillojnë të numërohen në orët e mëngjesit të së mërkurës, duke e çuar drejt përmbylljes një nga fazat kryesore të procesit zgjedhor pas ditës së votimit.

Paralelisht me numërimin e votave të diasporës, KQZ-ja do të nisë edhe procesin e numërimit të votave me kusht, i cili është zhvilluar në 52 vendvotime me kusht në mbarë vendin. Në këtë kategori janë evidentuar gjithsej 8.751 votues.

Po ashtu, do të fillojë edhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta.

Me përfundimin e numërimit të votave nga diaspora dhe fillimin e trajtimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, procesi i numërimit të rezultateve zgjedhore po hyn në fazën përmbyllëse.

“Njëkohesisht, KQZ-ja do të fillojë me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, i mundësuar në 52 vendvotime me kusht dhe ku janë evidentuar 8.751 votues dhe numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i mundësuar jashtë vendvotimeve dhe ku kanë qenë të regjistruar për këtë lloj votimi 3.144 votues”, tha Elezi.