Gashi: LDK-ja s’duhet ta pranojë si normalitet vendin e tretë, kërkohet proces i ri zgjedhor brenda partisë
Foto: Laura Hasani

Gashi: LDK-ja s’duhet ta pranojë si normalitet vendin e tretë, kërkohet proces i ri zgjedhor brenda partisë

Zgjedhjet 2026 June 17, 2026 - 20:19

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) ka falënderuar votuesit që e kanë rikthyer në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar njëkohësisht nevojën për reflektim brenda partisë pas rezultatit të fundit zgjedhor.

Gashi është shprehur se rezultati duhet të shërbejë si “thirrje për reflektim”, duke shtuar se nuk duhet të konsiderohet normale që LDK të renditet në vendin e tretë me rreth 16% të votave.

“Për ta bërë Kosovën që duam realitet, na duhet edhe LDK-ja që i duhet Kosovës. Një LDK me vlerat e saj autentike. Një LDK me njerëzit më të mirë, me mendim të lirë, me demokraci të brendshme, me profesionalizëm dhe me vizion. Mbi të gjitha, një LDK fituese. Rezultati i fundit zgjedhor duhet të na shërbejë si thirrje për reflektim. Ne nuk duhet ta pranojmë si normalitet një LDK në vendin e tretë. Një LDK me 16% nuk është LDK-ja që njohim, nuk është LDK-ja që ndërtoi shtetin dhe nuk është LDK-ja që i duhet Kosovës. Prandaj, krahas domosdoshmërisë që vendi të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme dhe funksionale, ne kemi edhe një detyrë tjetër të madhe: të merremi me veten. Të merremi me LDK-në. Me LDK-në tuaj”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka theksuar nevojën për një proces të ri të brendshëm zgjedhor në parti, duke kërkuar demokraci më të madhe, transparencë dhe gjithëpërfshirje.

“Është koha që LDK-ja të hapë një proces të ri zgjedhor të brendshëm, demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës. Një proces që bashkon, jo që përjashton. Që prodhon besim, jo ndarje. Që nxjerr në pah vlerat dhe energjinë më të mirë të partisë sonë. Sepse vetëm kështu mund ta bëjmë LDK-në të madhe përsëri. LDK-në fituese përsëri. Dhe vetëm me një LDK fituese mund ta ndërtojmë Kosovën që e duam: një shtet më të fortë, më të drejtë, më të zhvilluar dhe më evropian. Le ta nisim këtë rrugëtim me guxim, me besim dhe me përgjegjësi. Ta bëjmë LDK-në fituese. Ta bëjmë Kosovën fituese”, ka përfunduar Gashi.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, LDK-ja ka 16.69% apo 18 deputetë.