Konfirmohet: Bulliqi e Salihaj jashtë listës së LDK'së për deputetë

Aktuale May 18, 2017 - 23:00

Ish-deputeti dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, nuk është pjesë e listës së kësaj partie për deputet.

Lajmin e ka bërë të ditur Bulliqi për Klan Kosova, duke shtuar se jashtë është lënë edhe kolegu i tij, Adem Salihaj.

Ai ka thënë më tej se Vjosa Osmani gjendet në një listë rezervë.

“Unë dhe Adem Salihaj jemi lënë jashtë listës, kurse Vjosa Osmani gjendet në listën rezervë”, ka thënë shkurt Bulliqi.

Më herët, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, nënkryetari i kësaj partie Agim Veliu, nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se a janë në listën për deputetë ish deputetët që kanë kundërshtuar demarkacionin.

Ai ka thënë se publikimi i listës do të bëhet të premten. 

Ka deklaruar se në listë janë edhe ish-deputetët, por nuk ka pranuar të flasë nëse Vjosa Osmani, Shpejtim Bulliqi e Adem Salihaj janë larguar apo jo nga kjo listë.

Veliu ka thënë se në mbledhjen e sotme është bërë aprovimi i kandidatit për kryeministër, është marrë vendimi për koalicionet dhe lidhjet me grupet tjera politike dhe aprovimi i kandidatëve për listë.

Ka shtuar se vetëm dy vota ishin kundër dhe ishte vetëm një abstenim në aprovimin e këtyre kandidaturave.

Ndërkaq, kandidati për kryeministër, Avduall Hoti, ka thënë se nesër do të vendoset për listën definitive që sipas tij do të jetë listë e fitores.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së me këtë rast ka aprovuar unanimisht nominimin e Hotit si kandidat për kryeministër. 

Kurse më herët, anëtari i partisë, Gazmend Muhaxheri, njëherësh kryetar i Pejës, ka bërë të ditur se lista e kandidatëve për deputetë thuajse është përafruar.

“Lista është e gatshme thuajse, por jo definitive, brenda natës ose edhe deri nesër do të dorëzohen listat definitive”, ka thënë Muhaxheri.